I ftuar në “Review” me Greta Topjanën, deputeti i “Lëvizjes Bashkë”, Redi Muçi, deklaroi se Arlind Qori do të jetë kandidati i kësaj partie për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 9 majit 2027.
Muçi tha se partia e ka shpallur kandidaturën e kryetarit të saj për këtë garë. Ai u shpreh se nuk e përjashton mundësinë e fitores së Qorit, duke marrë si shembuj edhe raste nga qytete të tjera, si Nju Jorku dhe Berlini.
“Ne, te ‘Lëvizja Bashkë’, e kemi shpallur kandidaturën e Arlind Qorit, që është kryetari i partisë sonë, për Bashkinë e Tiranës. Dhe nëse dy përfaqësuesit që janë këtu vënë në dyshim integritetin, ndershmërinë, vullnetin për të ndërtuar një program, një platformë qeverisëse për Tiranën, si dhe besnikërinë ndaj këtij programi, atëherë ok. Por ne e kemi kandidatin tonë, që është kryetari i partisë, zoti Arlind Qori. Përderisa gara për Bashkinë e Tiranës është mazhoritare e pastër, ku mjafton një votë më shumë, në kontekstin e gjithë situatës ku ndodhemi, në raport me këtë protestë që ka vazhduar kaq gjatë, nuk do ta përjashtoja fitoren e Arlind Qorit, duke marrë edhe shembuj si Nju Jorku, Berlini e me radhë. Ka plot shembuj”, tha Muçi./mxh
