Last Updated on 02/11/2026 by EL
Për më shumë se tre dekada, historia vizuale dhe auditive e shqiptarëve ka fjetur nën pluhur, e rrezikuar nga koha. Shumë u fol, shumë u premtua, por askush nuk kishte mundur ta çonte deri në fund. Sot, ky peng i gjatë merr fund: Bordi i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) i jep dritën e gjelbër projektit më ambicioz për shpëtimin e kujtesës kombëtare.
Ka momente kur historia e një vendi nuk gjendet vetëm në faqet e librave, por te një shirit i vjetër filmi, te zërat e ngrohtë të artistëve ndër vite, te dritë-hijet e festivaleve tona të fëmijërisë dhe rinisë. Për 36 vjet me radhë, kjo pjesë e shpirtit tonë kolektiv në Radiotelevizionin Shqiptar ka qëndruar e mbyllur, e rrezikuar nga lagështira, vjetërimi dhe harresa e pashmangshme.
Që nga fillimi i viteve ’90, kushdo që ka drejtuar apo ka shkelur në godinën e transmetuesit publik e ka ditur se arkiva ishte plagë e heshtur. Janë bërë premtime, janë ngritur shqetësime nëpër tryeza, por koha ka kaluar dhe shiritat kanë vazhduar të vuajnë. Ky mbeti pengu më i madh i pazgjidhur i medias sonë publike: askush nuk kishte mundur të gjente rrugën dhe mbështetjen për ta shpëtuar përfundimisht këtë pasuri.
Sot, ky peng i gjatë paguhet përfundimisht.
Bordi i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) ka marrë vendimin historik për të financuar dhe udhëhequr digjitalizimin e plotë të Arkivës së RTSH-së. Përmes këtij hapi madhor, mijëra orë dokumentarësh të rrallë, shfaqjesh teatrale, ngjarjesh që shënuan kthesa në historinë e vendit dhe melodish që na shoqëruan ndër vite, do të marrin dritë përsëri.
Në një prononcim për këtë arritje, drejtuesja e RTSH-së , gazetarja Eni Vasili, e ka cilësuar këtë vendim jo thjesht si një projekt teknologjik apo blerje pajisjesh, por si një detyrim moral ndaj kujtesës kolektive dhe brezave që do të vijnë.
Përmes standardeve më të larta ndërkombëtare të siguruara nga partneriteti me AADF-në, zërat e ikonave tona, pamjet e fëmijërisë dhe ngjarjet që formësuan identitetin tonë kombëtar nuk do të rrezikojnë më të humbasin. Pas 36 vitesh pritjeje, historia e RTSH-së nuk do të jetë më një pasuri e ngrirë nën pluhur, por një thesar digjital i hapur dhe i sigurt për çdo shqiptar./et


