Last Updated on 02/11/2026 by EL
Pas gati dy orësh nga reagimi i ministrit Toni Gogu i cili pranoi haptazi takimin e kryer me Erion Veliaj por mohoi t’i ketë dhënë “mesazhe” këtij të fundit, kryebashkiaku i Tiranës pretendon se është urdhëruar që të delegojë Bashkinë e Tiranës te Arbër Hajdari, në të kundërt do të kalbet për 100 vite në burg.
Veliaj, i cili ndodhet në burgun e Fierit prej 28 tetorit, thotë se ishte kryeministri Edi Rama ai që ka urdhëruar transferimin e tij.
Letra e Erion Veliajt
Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim.
Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai.
Refuzoj haluçinacionet bolshevike që unë kam organizuar ose financuar protestat dhe e gjithë e vërteta e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, është kjo letër e shkruar me dorën time.
Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave.
Ndryshe ik!
Letra e plotë:
E premte, ora 22:30�
Toni Gogu vjen në takim pas 20 muajsh.
TG: R ka bërë transferimin, urdhër që ky nga konvikt duhet të bëjë burg tamam dhe që personalisht është marrë dhe me lejen për spital, lejet për takime, deri te aksesi tek miqtë e familja.
R ka bypass TG dhe ka urdhëruar vetë transferimin e izolimin me këto 3 kërkesa:
– Prano përfshirjen me Flamingot – Studentët ose do të shtohen akuzat për “prishje të rendit kushtetues” nga burgu e do bësh 100 vjet burg në 313 e 302.
– Hiq dorë nga bashkia TR dhe delegoje (te Arbër Hajdari).
– Mos u këshillo më me Plarent Ndrecën.
Më herët, reagoi edhe ministri i Drejtësisë, i cili tha se lajmet që kanë dalë sot janë të pavërteta pasi në takim ka verifikuar kushtet e trajtimit dhe ka dëgjuar ankesat që janë shprehur edhe nga avokati mbrojtës i Veliajt, Plarent Ndreca.
Reagimi i Gogut:
Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier.
Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.
Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë.
Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.
Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.
Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.
Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore./et
