Përgatiti: Leonard Veizi
Më 4 nëntor 1979, në Teheran ndodhi një ngjarje që do të shndërrohej në një nga krizat më të gjata dhe më të rënda diplomatike të shekullit XX. Një grup studentësh iranianë, të lidhur me krahun radikal të revolucionit islamik, sulmuan ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe morën peng dhjetëra diplomatë e punonjës amerikanë. Ajo që fillimisht u paraqit si një protestë politike, shumë shpejt mori përmasat e një përplasjeje ndërkombëtare, e cila do të zgjaste plot 444 ditë. Në fund të këtij episodi, 52 amerikanë do të fitonin lirinë, ndërsa marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit do të hynin në një periudhë armiqësie që do të vazhdonte për dekada. Për të kuptuar se si u arrit deri këtu, duhet kthyer vështrimi disa muaj më parë, në një Iran që sapo kishte përmbysur monarkinë.
Revolucioni që përmbysi Shahun
Deri në fillim të vitit 1979, Irani drejtohej nga Shah Mohammad Reza Pahlavi, një monark që kishte ndërtuar pushtetin e tij mbi mbështetjen amerikane dhe një aparat të fuqishëm sigurie. Gjatë sundimit të tij, vendi ishte modernizuar në disa sektorë, por regjimi ishte bërë gjithnjë e më autoritar. Policia sekrete SAVAK ndiqte dhe burgoste kundërshtarët politikë, ndërsa pakënaqësia shoqërore dhe fetare po rritej. Në janar 1979, pas muajsh protestash masive, Shahu u largua nga Irani. Më 1 shkurt, ajatollahu Ruhollah Khomeini u kthye nga mërgimi në Teheran, ku u prit nga turma të mëdha. Revolucioni përfundoi me rrëzimin e monarkisë dhe vendosjen e Republikës Islamike. Për revolucionarët, Shtetet e Bashkuara nuk ishin thjesht një fuqi e huaj. Ato përfaqësonin mbështetjen që Uashingtoni i kishte dhënë Shahut, ndërhyrjen amerikane në politikën iraniane dhe, mbi të gjitha, grushtin e shtetit të vitit 1953, që kishte rrëzuar kryeministrin Mohammad Mosaddegh dhe kishte forcuar pushtetin e monarkut. Pakënaqësia ndaj Amerikës kishte, pra, rrënjë më të thella se vetë revolucioni.
Sulmi mbi ambasadën amerikane
Shkëndija e drejtpërdrejtë erdhi më 22 tetor 1979, kur Shtetet e Bashkuara lejuan Shahun e rrëzuar të hynte në territorin amerikan për t’u trajtuar nga një sëmundje e rëndë. Në Teheran, ky vendim u interpretua si një shenjë se Uashingtoni mund të përgatiste rikthimin e tij në pushtet, ashtu siç kishte ndodhur në vitin 1953. Mëngjesin e 4 nëntorit, disa qindra studentë iranianë sulmuan kompleksin diplomatik amerikan. Ata kapërcyen muret, thyen hyrjet dhe morën nën kontroll ndërtesat e ambasadës. Në fillim u kapën 66 amerikanë. Disa prej tyre u liruan gjatë javëve dhe muajve që pasuan, por 52 mbetën në duart e rrëmbyesve. Studentët e quanin ambasadën amerikane «strofull spiunësh» dhe kërkonin dorëzimin e Shahut nga Shtetet e Bashkuara, që ai të kthehej në Iran për t’u gjykuar. Por pengmarrja nuk ishte thjesht një veprim i një grupi studentor. Ajatollahu Khomeini e mbështeti publikisht atë dhe e shndërroi në një instrument presioni politik ndaj Uashingtonit. Kjo i dha krizës një dimension shtetëror dhe e bëri shumë më të vështirë zgjidhjen e saj. Skenat e diplomatëve amerikanë me sy të lidhur, të nxjerrë para kamerave dhe të ekspozuar përpara turmave protestuese, u transmetuan në televizionet e mbarë botës. Për amerikanët, ambasada e tyre në Teheran ishte kthyer në një burg, ndërsa qeveria e Uashingtonit dukej e pafuqishme për të ndërhyrë.
444 ditë në robëri
Gjatë gjithë krizës, administrata amerikane u përpoq të gjente një zgjidhje diplomatike. Presidenti Xhimi Karter kërkoi lirimin e menjëhershëm të pengjeve, ndërsa Shtetet e Bashkuara ngrinë miliarda dollarë pasuri iraniane në bankat amerikane dhe vendosën, Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkoi lirimin e amerikanëve dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dënoi mbajtjen e diplomatëve peng. Por as presioni ndërkombëtar dhe as masat ekonomike nuk arritën ta zgjidhnin krizën.Në nëntor 1979, iraniane liruan 13 nga pengjet, kryesisht gra dhe afroamerikanë. Një tjetër amerikan, Riçard Kuin, u lirua në korrik 1980 për arsye shëndetësore. Kështu, numri i pengjeve që mbetën në duart e iranianëve u reduktua në 52. Për ta mbajtur çështjen gjallë në opinionin publik amerikan, televizionet nisën të transmetonin çdo mbrëmje kronika të posaçme. Një prej emisioneve më të njohura ishte “America Held Hostage”, i transmetuar nga rrjeti ABC. Amerikanët ndiqnin ditë pas dite fatin e bashkatdhetarëve të tyre, ndërsa familjet e pengjeve jetonin në ankthin e pritjes. Kriza u bë pjesë e jetës së përditshme amerikane. Në shumë shtëpi u vendosën shirita të verdhë në pemë dhe gardhe, si shenjë solidariteti me njerëzit e mbajtur në Teheran. Slogani “America Held Hostage” u bë një prej shprehjeve më të njohura të asaj periudhe.
Operacioni ushtarak që përfundoi në katastrofë
Pas muajsh negociatash pa rezultat, Xhimi Karter vendosi të autorizonte një operacion ushtarak për shpëtimin e pengjeve. Më 24 prill 1980, ushtria amerikane ndërmori operacionin sekret të koduar «Eagle Claw» (Kthetra e Shqiponjës). Plani parashikonte dërgimin e forcave speciale në territorin iranian, transportimin e tyre drejt Teheranit dhe ndërhyrjen për lirimin e amerikanëve nga ambasada. Operacioni ishte tepër kompleks. Ai kërkonte koordinimin e avionëve transportues, helikopterëve dhe njësive speciale, në kushte të vështira shkretinore. Por gjithçka shkoi keq që në fazën e parë. Problemet teknike, stuhitë e pluhurit dhe defektet në helikopterë e bënë të pamundur vazhdimin e misionit. Në shkretëtirën iraniane, pranë vendit të quajtur Desert One, një helikopter u përplas me një avion transportues C-130. Shpërthimi shkaktoi vdekjen e tetë ushtarakëve amerikanë.
Misioni u anulua pa arritur te pengjet.
Dështimi i «Eagle Claw» ishte një goditje e rëndë për prestigjin e administratës Carter dhe ekspozoi mangësitë e koordinimit ushtarak amerikan në operacione të tilla. Sekretari i Shtetit Cyrus Vance, i cili kishte kundërshtuar ndërhyrjen ushtarake, dha dorëheqjen. Shahu, ndërkohë, vdiq nga kanceri më 27 korrik 1980 në Egjipt. Por edhe pas vdekjes së tij, pengjet nuk u liruan.
Kriza që ndikoi në zgjedhjet presidenciale amerikane
Viti 1980 ishte edhe vit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara. Jimmy Carter kërkonte një mandat të dytë presidencial, por kriza iraniane ishte kthyer në një nga problemet kryesore të fushatës së tij. Kundërshtari republikan, Ronald Reagan, e përdori situatën për të kritikuar mënyrën se si administrata demokrate po përballonte politikën e jashtme. Pamjet e pengjeve në Teheran dhe dështimi i operacionit të shpëtimit kishin dëmtuar imazhin e presidentit. Më 4 nëntor 1980, pikërisht në përvjetorin e parë të pengmarrjes, amerikanët votuan për presidentin e ri. Ronald Reagan fitoi bindshëm ndaj Jimmy Carter. Por fati i 52 pengjeve mbetej ende i pazgjidhur.
Marrëveshja e Algjerit dhe lirimi pas 444 ditësh
Zgjidhja erdhi përmes ndërmjetësimit të Algjerisë, e cila luajti një rol të rëndësishëm në afrimin e dy palëve. Negociatat ishin të ndërlikuara, sepse Irani kërkonte garanci politike dhe financiare, ndërsa Uashingtoni këmbëngulte për lirimin e menjëhershëm të qytetarëve të tij. Më 19 janar 1981 u arrit marrëveshja e njohur si Marrëveshjet e Algjerit (Algiers Accords). Sipas saj, Shtetet e Bashkuara pranonin të zhbllokonin pasuritë iraniane të ngrira në bankat amerikane, të tërhiqnin pretendimet për ndërhyrje në punët e brendshme të Iranit dhe të krijohej një mekanizëm ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve financiare mes dy vendeve.
Në këmbim, Irani pranonte lirimin e pengjeve.
Më 20 janar 1981, pas 444 ditësh në robëri, 52 amerikanët u liruan. Ishte një përkim i veçantë historik: ata fituan lirinë vetëm pak minuta pasi Ronald Reagan kishte bërë betimin si presidenti i 40-të i Shteteve të Bashkuara. Pengjet u larguan nga Irani me avionë dhe kaluan fillimisht në Algjeri, përpara se të niseshin drejt Gjermanisë Perëndimore. Jimmy Carter, tashmë ish-president, udhëtoi për në Gjermaninë Perëndimore për t’i pritur. Për familjet e tyre, pritja e gjatë kishte përfunduar. Për Amerikën, mbyllej një prej episodeve më të vështira të politikës së jashtme pas Luftës së Dytë Botërore.
Një krizë që la gjurmë për dekada
Pengmarrja e ambasadës amerikane nuk ishte një episod i izoluar. Ajo shënoi një kthesë të thellë në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Të dy vendet ndërprenë marrëdhëniet diplomatike në vitin 1980 dhe armiqësia politike u shndërrua në një element të qëndrueshëm të marrëdhënieve të tyre ndërkombëtare. Për Iranin revolucionar, pengmarrja u përdor si demonstrim i shkëputjes nga ndikimi amerikan dhe i vendosmërisë së regjimit të ri. Për Shtetet e Bashkuara, ajo ishte një shkelje e rëndë e imunitetit diplomatik dhe një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj autoritetit të tyre ndërkombëtar.
Sot, kriza e pengjeve në Teheran kujtohet jo vetëm për 444 ditët e robërisë, por edhe për pasojat që pati në politikën amerikane, në zhvillimin e Republikës Islamike dhe në ekuilibrat e Lindjes së Mesme. Një ambasadë e pushtuar, 52 jetë të mbajtura pezull dhe një president që e përfundoi mandatin pa arritur t’i kthente bashkatdhetarët në shtëpi. Kaq mjaftoi që 4 nëntori 1979 të mbetej një datë e veçantë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare.
