Last Updated on 04/11/2026 by Anisa
Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të shitjes me pakicë dhe shumicë të karburanteve në vend, në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë, më 4 nëntor 2026.
Sipas vendimit të Bordit, nafta (gazoili) do të shitet me pakicë jo më shumë se 216 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë do të jetë deri në 204 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën është vendosur një çmim maksimal prej 172 lekësh për litër në pakicë dhe 160 lekësh për litër në shumicë.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 4 nëntor, në orën 14:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të shqyrtohen sërish ndryshimet në tregun e hidrokarbureve.
Bordi u ka rikujtuar operatorëve të tregtimit të karburanteve detyrimin për zbatimin e çmimeve të përcaktuara, duke paralajmëruar se në rast konstatimi të shkeljeve do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Vendimi vjen në kuadër të masave të ndërmarra nga qeveria për përballimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve dhe mbrojtjen e konsumatorëve shqiptarë.
Njoftim për Shtyp
Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 4 Nëntor 2026, vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 216 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 204lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 172 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 160 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 4 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg./ad
