Nga Mentor Kikia
Këta janë disa nga financuesit më të mëdhenj të fushatës elektorale për zgjedhjet që u mbajtën të martën në SHBA. Pa dyshim, lista është shumë më e gjatë. Çdo person apo subjekt që ka dhuruar para, është i identifikueshëm pasi deklarimi i financimit është detyrim ligjor dhe një element i transparencës publike.
A di dikush të thotë se kush ishin financuesit e Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2025?
Një emër? Kush dhe sa para dhuroi?
Nuk ka!
Po financuesit e Partisë Demokratike?
Sërish nuk ka!
Sepse në Shqipëri partitë politike nuk i bëjnë transparente donacionet. Madje, arrijnë të deklarojnë shuma të konsiderueshme si kuota anëtarësie, pa bindur mbi burimin e tyre.
Një byrektore kontrollohet nga çdo organ shtetëror. Partitë politike, jo!
E dini pse nuk i deklarojnë financuesit e tyre?
Sepse partitë politike janë shndërruar në sipërmarrje të mbyllura, ku paraja dhe pushteti ushqejnë njëri-tjetrin. Sepse ata që financojnë fushatat elektorale, i marrin paratë e tyre mbrapsht përmes kontratave publike, tenderave, PPP-ve dhe koncesioneve.
Ky është një nga problemet më të rënda të sistemit tonë politik.
Ky krijon terrenin për korrupsionin dhe ndërton mekanizmat që e mbrojnë, e ushqejnë dhe e riciklojnë atë.
Prandaj, zgjidhja nuk është thjesht largimi i një qeverie dhe ardhja e një tjetre. Zgjidhja është ndryshimi i sistemit politiko-ekonomik që ka krijuar mekanizmin e vjedhjes dhe riciklimit të pushtetit.
Nevojitet një qeveri tranzitore dhe një reformë e thellë zgjedhore, që të përfshijë:
● Një sistem të ri zgjedhor, që garanton përfaqësim real dhe konkurrencë të ndershme.
● Një ligj të ri për financimin e partive politike, me transparencë të plotë për çdo donacion.
● Një mekanizëm tranzicioni institucional para çdo procesi zgjedhor, që t’i heqë partisë në pushtet kontrollin mbi administratën dhe burimet shtetërore gjatë fushatës.
Asgjë nuk ndryshon në themel nëse ndërrojmë vetëm emrat e atyre që qeverisin, ndërsa mekanizmi mbetet i njëjtë.
Shqipëria ka nevojë të çlirohet nga një sistem ku politika financohet nga interesa ekonomike, pushteti i shpërblen financuesit dhe zgjedhjet shërbejnë për ricikluar të njëjtat marrëdhënie.
