Kim Kardashian nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ëndrra për t’u bërë avokate, edhe pse dështimi në provimin e jurisprudencës në Kaliforni ka bërë që ajo të rishikojë planet e saj. Një vit pas rezultatit zhgënjyes, ylli amerikan ka konfirmuar se dëshiron ta provojë sërish, por këtë herë pa i vendosur vetes një afat kohor.
Në një intervistë për People, gjatë premierës në New York të sezonit të dytë të serialit All’s Fair, Kim tregoi se provimi mbetet ende në planet e saj. Megjithatë, mes angazhimeve televizive, projekteve të reja dhe kujdesit për katër fëmijët, ajo dëshiron të presë momentin e duhur për t’iu rikthyer librave.
“Do të marr kohën time dhe do të pres momentin e duhur, kur të kem pak kohë të lirë për t’u përqendruar”, u shpreh Kardashian, duke lënë të kuptohet se nuk dëshiron ta kthejë më këtë sfidë në një garë me kohën.
Rrugëtimi i saj në drejtësi nisi në vitin 2019, kur vendosi të ndiqte gjurmët e të atit, Robert Kardashian, një avokat i njohur që ishte pjesë e ekipit ligjor të O.J. Simpson në gjyqin e vitit 1995. Përveç studimeve, Kim u angazhua edhe në çështje të reformës në drejtësinë penale, duke mbështetur nisma për lirimin e personave të dënuar.
Pas disa vitesh përgatitje përmes një programi alternativ studimi, ajo arriti të kalonte provimin paraprak të njohur si “Baby Bar” vetëm në përpjekjen e katërt, në vitin 2021. Në maj të vitit 2025 përfundoi gjashtë vitet e praktikës dhe studimeve, duke iu afruar edhe më shumë synimit të saj.
Por në korrik të të njëjtit vit, Kim iu nënshtrua provimit kryesor të jurisprudencës në Kaliforni dhe nuk arriti ta kalonte. Lajmin e ndau vetë me ndjekësit në rrjetet sociale, duke pranuar zhgënjimin, por duke theksuar se nuk do të dorëzohej.
“Isha shumë pranë kalimit të provimit dhe kjo më motivoi edhe më shumë”, shkroi ajo në atë kohë.
Dështimi nuk ishte i lehtë për të. Në një intervistë për Time, Kardashian kishte treguar se rezultati ndikoi edhe në vetëbesimin e saj, ndërsa në një episod të reality show-t The Kardashians u shfaq duke shpërthyer në lot teksa fliste për lodhjen dhe presionin e përgatitjeve.
Megjithatë, Kim duket se e ka ende të qartë se ku dëshiron ta çojë këtë rrugëtim. Vitin e kaluar, gjatë një interviste në emisionin e Graham Norton, ajo madje përfytyroi një të ardhme larg famës dhe biznesit: “Ndoshta pas dhjetë vitesh do të ndaloj së qeni Kim K dhe do të bëhem avokate gjyqesh”.
Ndërkohë, ironia është se në ekran ajo tashmë interpreton një avokate në serialin All’s Fair, prodhim i Ryan Murphy, sezoni i dytë i të cilit ka nisur më 4 nëntor. Në jetën reale, megjithatë, rruga drejt këtij profesioni mbetet ende e hapur.
Për Kim Kardashian, duket se bëhet fjalë për një ëndërr që nuk ka ndërmend ta braktisë, edhe nëse këtë herë do t’i duhet pak më shumë kohë për ta realizuar./mxh
