Last Updated on 05/11/2026 by Monika
Komisioneri i Transportit dhe Turizmit për Europën, zyrtari grek, Apostolos Tzitzikostas ka lëshuar një deklaratë ditën e sotme ku në fjalët e tij shprehen alarme për bomba nëpër avionë që mund të kërcënojnë Europën.
Sipas zyrtarit nga Selaniku, sigurimi i qytetarëve mbetet përparësi dhe kërcënimet ndaj civilëve janë tërësisht të papranueshme.
Tzitzikostas që mban këtë rol drejtues në fushën e transportit europian qysh prej dhjetorit të vitit 2024 deklaroi në rrjetet sociale se mekanizmi i BE-së për mbrojtjen e udhëtarëve të aviacionit civil është aktivizuar.
” Hetimet ndërkombëtare vazhdojnë. Është shumë herët për të nxjerrë përfundime nëse incidentet e raportuara janë të lidhura.
Kërcënimet ndaj civilëve janë të papranueshme”, – u shpreh Komisioneri Europian i Transportit.
Ai shtoi se u janë lëshuar thirrje të gjitha autoriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare që të bashkëpunojnë dhe të marrin informacione në rast rreziku me operatorët e linjave ajrore dhe agjencitë e ligjit.
22 fluturime pasagjerësh janë anuluar gjatë 4 ditëve të fundit, duke shkaktuar vonesa, panik dhe çorientim të pasagjerëve. Shoqërime ushtarake janë kryer nëpër disa aeroporte për të verifikuar nëse alarme për bomba ishin false apo të vërteta./MXH
