Last Updated on 05/11/2026 by Monika
Inspektori i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, Hadër Mulla, u shpreh sot lidhur me rastet e incidenteve me bombola gazi në banesa.
Në një prononcim për “Tv Klan”, Mulla tha se shpërthimi ose zjarri provokohet edhe nga kushtet e ajrimit në ambientet e mbyllura.
Eksperti këshillon mospërdorimin e bombolave të pacertifikuara, si edhe instalimin e tyre përmes teknikëve të fushës.
“Dëgjojmë shpesh dhe është bërë zhargon, shpërthen bombola. Por zjarri ose shpërthimi provokohet kur në një ambient të mbyllur ka rrjedhje gazi dhe në kushte të caktuara të ajrimit, krijon kushte shpërthimi në rast të një shkëndije, e cila mund të vijë qoftë edhe nga një çelës dritash. Mos përdorni bombola të pacertifikuara. Një bombël e pacertifikuar nuk jep garanci. Mos lejoni dhe mos i merrni vetë përsipër të bëni instalimet e gazit në shtëpi. Tekniku duhet të jetë i certifikuar. Nuk mundet qoftë edhe një hidraulik të bëjë instalim gazi. Tubi plastik i gazit është me afat skandence duhet ndërruar. Në rast të ndërrimit të bombolës do kujdes edhe pickimi i gominës”, tha Mulla./mxh
