Injeksionet për rënien në peshë janë kthyer në një nga metodat më të përdorura për të luftuar kilogramët e tepërt, por rezultatet e shpejta mund të shoqërohen edhe me ndryshime të dukshme fizike. Një prej tyre është fenomeni i njohur si “Ozempic Face”, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e specialistëve.
Humbja e konsiderueshme e peshës në një periudhë të shkurtër mund të ndikojë jo vetëm në masën muskulore, por edhe në pamjen e fytyrës, duke reduktuar volumin natyral të saj dhe duke bërë që shenjat e plakjes të duken më të theksuara.
Prof. Dr. Ozlem Su Kucuk, drejtuese e Departamentit të Dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Bezmialem Vakif në Stamboll, thekson se personat që përdorin këto trajtime duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë ushqyerjes.
Ajo rekomandon marrjen e 1 deri në 1.5 gramë proteina për kilogram të peshës trupore në ditë, në mënyrë që organizmi të ruajë sa më shumë masën muskulore gjatë procesit të dobësimit. Krahas kësaj, aktiviteti fizik, veçanërisht ushtrimet e rezistencës, dhe hidratimi i mirë janë elementë të rëndësishëm.
Por çfarë e shkakton konkretisht ndryshimin e fytyrës?
Kur trupi humbet një sasi të konsiderueshme yndyre, edhe fytyra mund të humbasë volumin që i jep pamjen e plotë dhe të freskët. Si pasojë, mollëzat mund të duken më të fundosura, zona poshtë syve të krijojë zgavra, rrathët e zinj të bëhen më të dukshëm, ndërsa rrudhat dhe lëshimi i lëkurës mund të theksohen, përfshirë edhe në zonën e qafës.
Specialistja paralajmëron se medikamentet për dobësim që veprojnë përmes receptorëve GLP-1 nuk janë një zgjidhje që duhet përdorur pa kriter. Përpara fillimit të trajtimit, çdo pacient duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi mjekësor, ndërsa përdorimi i tyre duhet të vazhdojë nën kontrollin e specialistit.
Një tjetër çështje që kërkon kujdes është përdorimi i vitaminave dhe suplementeve pa rekomandim profesional. Sipas Kucuk, marrja e pakontrolluar e tyre mund të shkaktojë probleme dermatologjike, ndërveprime me medikamente të tjera dhe, në raste të caktuara, dëmtime të mëlçisë apo veshkave.
Për ata që pas rënies së shpejtë në peshë përballen me humbje të dukshme të elasticitetit të lëkurës, dermatologia këshillon fillimisht një konsultë të specializuar. Në varësi të rastit, mund të shqyrtohen edhe alternativa estetike si PRP-ja apo mbushësit dermalë.
Megjithatë, mesazhi kryesor i ekspertes është se këto procedura nuk duhen kryer në mënyrë të pakontrolluar. Përzgjedhja e trajtimit dhe realizimi i tij nga mjekë të kualifikuar janë thelbësore për të shmangur komplikacionet dhe dëmtimet e mundshme të shëndetit./mxh
