Last Updated on 06/11/2026 by EL
Në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, në ditën e tretë të tij, u prezantua “Marina Orikum”, një projekt i madh i zhvillimit turistik dhe rezidencial në bregdetin e jugut të Shqipërisë. Projekti zhvillohet nga Concord Group dhe përfshin portin e jahteve, si dhe një kompleks të gjerë hotelerie dhe rezidencial. Ermira Brozi, Drejtoreshë e Shitjeve dhe Marketingut në Concord Group, tha se kompleksi pritet ta shndërrojë zonën e Orikumit në një destinacion të rëndësishëm për turizmin detar, jahtet, hotelerinë luksoze dhe rezidencat buzë detit.
“Kompleksi integron ambiente rekreative, ambiente sportive dhe një hotel ndërkombëtar me pesë yje. Të gjithë këta komponentë do të sjellin një standard dhe cilësi më të lartë jetese”.
Brozi veçoi gjatë prezantimit edhe pozicionin tejet të favorshëm ku do të zhvillohet projekti, pranë gadishullit të Karaburunit, Parkut Kombëtar të Llogarasë, me dalje të drejtpërdrejtë në detin Jon dhe në afërsi të aeroportit të Vlorës. “Marina Orikum” ka një kalendar zhvillimi për periudhën 2026–2030, ndërsa faza e parë është realizuar gjatë viteve 2022–2024.
Tirana Central Park

Një tjetër projekt në fushën e ndërtimit, pjesë e portofolit të investimeve të Concord Group, është edhe “Tirana Central Park”. Me një koncept multifunksional, ai synon të ndërthurë banimin, biznesin, tregtinë, hotelerinë dhe hapësirat e gjelbra në një kompleks të vetëm, në aksin Tiranë–Durrës, pranë qendrës tregtare City Park.
Emirjana Braho, menaxhere e shitjeve pranë Concord Group, gjatë prezantimit në TIF32, tha se vendndodhja e projektit është përzgjedhur për shkak të pozicionit strategjik, që kombinon funksionet e banimit me hapësirat për zyra, hoteleri dhe ambiente rekreative.
“Projekti nuk është zgjedhur pa qëllim në këtë zonë, pasi është një vendndodhje strategjike, e cila kombinon funksionalitetin me pjesën e banimit, zyrat, hotelerinë dhe ambientet rekreative. Të tria godinat janë vendosur në formë L-je, duke u dhënë privatësi të gjitha ambienteve”.
Braho foli edhe për planifikimin urban të kompleksit, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 36 mijë metrash katrorë, si dhe për kategoritë e klientëve potencialë që synon të tërheqë “Tirana Central Park”.
“Vetëm 23% e sipërfaqes së të gjithë truallit është shfrytëzuar për ndërtim, duke mundësuar shfrytëzimin maksimal të hapësirave të përbashkëta. Kategoritë e klientëve që synojmë dhe që duan të bëhen pjesë e komunitetit të Tirana Central Park janë, së pari, familjet e reja, të cilat duan të kenë për herë të parë një shtëpi të tyren; së dyti, profesionistët që vlerësojnë pozicionin strategjik dhe, së treti, investitorët që duan të investojnë në prona”.
Masterplani parashikon tri godina me apartamente banimi, ambiente biznesi, zyra, njësi tregtare, struktura hotelerie dhe hapësira të dedikuara për komunitetin. Rreth 10 mijë metra katrorë janë parashikuar për parkim nëntokësor, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e territorit do t’i dedikohet gjelbërimit dhe ambienteve rekreative. Zhvillimi i projektit parashikohet të shtrihet në periudhën 2026–2028.
