Last Updated on 06/11/2026 by Monika
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka folur ditën e sotme lidhur me protestat që zhvillohen në Tiranë.
I ftuar në Syri Tv, Alimehmeti tha se njerëzit dalin në shesh për arsye të ndryshme por sipas tij një kërkesë e përbashkët është largimi i kryeministrit Edi Rama.
Ndërsa ka komentuar incidentet mes protestuesve në protestë, Alimehmeti shprehet se objektivi i gjithësecilit duhet të jetë largimi i Ramës.
“Sheshi i ka të gjitha. Ju e përmendët se duhet të ketë një bashkim kauzash, sepse ka kauza të ndryshme dhe njerëzit që dalin aty protestojnë për arsye të ndryshme. Por emëruesi i përbashkët është largimi i Edi Ramës, i cili i nxjerr në pah të gjitha këto kauza. Patjetër që ka edhe njerëz që infiltrohen për t’i përçarë këto kauza dhe protestuesit, sepse është shumë e qartë se ku çon kjo forcë, ky bashkim forcash. Ka rryma që nuk janë të interesuara për bashkimin e këtyre forcave dhe qytetarëve, përveçse vetë Edi Ramës, dhe tentojnë të krijojnë situata të këtij tipi. Patjetër, janë situata që do të ishte më mirë të mos ndodhnin, por ja që ndodhin.
Po, është e vërtetë. Edhe gjatë muajve të kaluar, herë pas here dëgjoheshin thirrje të tilla si: ‘Ne jemi opozita’, e të tjera. Unë nuk mendoj se këtu duhet të bëhet një garë se kush është opozita. Këtu duhet të bëhet një luftë e përbashkët për të larguar Edi Ramën. Ky është objektivi që, sipas meje, duhet të ketë gjithsecili. Nuk ka dyshime, këto janë fakte. Por të jemi të qartë: ky shesh ka interesa të llojeve të ndryshme. Ju e dini se grupet më të vogla shpesh janë edhe më të zhurmshmet. Në këtë aspekt, ju më pyetët pak më parë se cilat mund të ishin disa nga mundësitë për t’i diskutuar këto”, tha Alimehmeti.
Më tej ai theksoi se Partia Demokratike duhet të angazhohet për një mobilizim dhe organizim më të madh, në mënyrë që pesha e saj numerike të reflektohet edhe në protestë.
Sipas tij, shumica dërrmuese e qytetarëve që kanë marrë pjesë në protestat e muajve të fundit kanë qenë demokratë.
“Një nga mundësitë është që ne kemi qenë gjithmonë në mbështetje të protestuesve. Kemi qenë gjithmonë pranë tyre, madje edhe në mbrojtje të tyre, siç e dini, qoftë në aspektin fizik, qoftë në atë juridik. I kemi mbështetur në të gjitha aspektet, edhe në atë mediatik dhe në arenën ndërkombëtare, përmes të gjitha kanaleve. Prandaj, është krejtësisht e natyrshme që ne të mund të shkonim drejtpërdrejt atje, në mënyrë që protestuesit të mblidheshin në të njëjtin vend, pa nisur diku dhe pa përfunduar diku tjetër. Kështu do të shmangej përshtypja se kemi të bëjmë me dy gjëra të ndara, nëse dëshirojmë që kjo të jetë pikërisht një kauzë e përbashkët.
Kjo do të ishte një zgjidhje e natyrshme, ashtu siç kemi vepruar edhe në muajt e tjerë. Ky ka qenë realiteti: shumë demokratë, sidomos në Tiranë, por edhe nga të gjitha rrethet, kanë qenë të pranishëm, kanë ardhur dhe kanë mbështetur protestën. Të jemi të drejtë, shumica dërrmuese kanë qenë demokratë, edhe gjatë muajve të verës, në të gjithë muajt e nxehtë. Ky është realiteti. Në një protestë, numrat e mëdhenj dominojnë. Nuk mundet që thirrjet e 50 vetëve të mos dominohen nga 5 mijë vetë. Pra, është çështje numrash, është kaq e thjeshtë.
Po si mund të largohet Partia më e madhe? Përmes mobilizimit dhe organizimit të saj, ashtu siç ka bërë gjithmonë, por në nivelin e duhur. Është automatike, siç jua thashë pak më parë: 50 vetë nuk mund të largojnë 5 mijë vetë. Është thjesht e pamundur nga pikëpamja numerike. Janë numrat ata që mund ta ndryshojnë menjëherë ecurinë e kësaj situate. Pra, nevojitet një mobilizim dhe organizim në një nivel më të lartë, ndoshta edhe më shumë frymëzim. Por nuk diskutohet që, për sa u përket numrave, ata janë në favor të Partisë Demokratike dhe jo të atyre pak përçarësve”, tha ai./mxh
