Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e disa qyteteve të Italisë këtë të shtunë, në një valë të re protestash kundër rritjes së kostos së jetesës, shtrenjtimit të qirave, shpenzimeve për riarmatimin dhe shkurtimeve në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
Demonstratat u zhvilluan në Torino, Milano, Romë, Bolonjë, Xhenova, Firence, Udine dhe Leçe. Pjesëmarrja më e madhe u regjistrua në Torino, ku rreth 3 mijë persona iu bashkuan marshimit. Në protesta morën pjesë studentë, punëtorë, mësues dhe fermerë, të cilët kërkuan më shumë mbështetje ekonomike dhe mbrojtje të shërbimeve publike.
Në Torino, protestuesit marshuan me pankarta kundër kostos së lartë të jetesës dhe politikave të riarmatimit. Gjatë demonstratës pati gjithashtu thirrje kundër kryeministres Giorgia Meloni dhe ministrit Matteo Salvini. Marshimi përfundoi pa incidente.
Ndërkohë, në Milano studentët organizuan një tjetër protestë, ndërsa në zonën e Arco della Pace u zhvillua aktiviteti i quajtur “Takso të pasurit”, përmes të cilit u kërkua një barrë më e madhe fiskale për shtresat më të pasura.
Në Romë, marshimi nisi nga Kodra Esquilino në drejtim të Forumeve Perandorake, ndërsa në Xhenova protestuesit shprehën kundërshtimin ndaj riarmatimit dhe shkurtimeve në shërbimet publike.
Pavarësisht pjesëmarrjes së gjerë, demonstratat në qytetet italiane u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë paqësore, pa përplasje të mëdha me policinë.
Sekuestrohen 188 kilogramë lëndë piroteknike në Torino
Ndërkohë, disa orë përpara protestës në Torino, policia sekuestroi 188 kilogramë lëndë piroteknike në banesën e një 44-vjeçari në lagjen Borgo Filadelfia.
Personi është referuar për veprat penale të posedimit dhe shitjes së paligjshme të lëndëve eksplozive./mxh
