Qeveria amerikane dyshon se Jensen Huang, drejtori ekzekutiv i kompanisë Nvidia, ka pasur një marrëdhënie sentimentale me Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, një grua që inteligjenca amerikane dyshon se është rekrutuar nga Ministria kineze e Sigurisë së Shtetit. Lajmi është raportuar nga Financial Times, i cili konfirmon me burimet e veta informacionet e publikuara në fund të tetorit nga New York Times.
Sipas raportimeve, në fillim të këtij viti zyrtarët amerikanë kanë përgatitur një dokument të bazuar në informacione të inteligjencës, ku pretendohej se Huang kishte lidhje me Alice Huang, drejtuese e kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor. Kjo kompani është gjithashtu kliente e grupit të prodhimit të gjysmëpërçuesve Nvidia.
Dokumenti u është shpërndarë një grupi të kufizuar zyrtarësh të lartë amerikanë, pak para udhëtimit të presidentit Donald Trump në Pekin, ku ai zhvilloi një takim me presidentin kinez Xi Jinping. Ndërkohë, në rrjetet sociale janë publikuar fotografi dhe video që pretendohet se tregojnë Jensen Huang dhe Alice Huang së bashku.
Megaspeed, e ndarë në vitin 2023 nga një kompani kineze e industrisë së videolojërave, ndodhet nën hetim për dyshimet se ka futur në Kinë çipa të avancuar të Nvidia-s, në shkelje të rregullave amerikane për eksportin e teknologjisë.
Sipas New York Times, Departamenti Amerikan i Tregtisë e ka hetuar kompaninë që nga fundi i vitit 2024, pasi një zyrtar kishte konstatuar parregullsi në një qendër të dhënash në Malajzi, ku pajisjet ishin ende të paketuara. Këtë vit, hetimi i është kaluar Departamentit të Drejtësisë.
Dyshohet se kompania i siguronte procesorët përmes degës amerikane të Inspur, një kompani kineze e përfshirë në listën e zezë të SHBA-së për furnizimin e ushtrisë kineze. Më pas, pajisjet u rishiteshin klientëve, mes tyre edhe gjigantit teknologjik Alibaba. Sipas raportimeve, dega e Megaspeed në Malajzi ka blerë pajisje me çipa Nvidia në vlerën prej të paktën 4.8 miliardë dollarësh, nga qershori 2024 deri në shkurt 2026.
Nga ana e saj, Nvidia ka mohuar akuzat, duke deklaruar se Megaspeed është një klient i zakonshëm rajonal. Kompania pretendon se dyshimet për kontrabandë janë shqyrtuar edhe përmes një hetimi të brendshëm, por nuk janë gjetur prova që i mbështesin ato.
Sipas New York Times, presidenti Donald Trump ishte informuar rreth një vit më parë për marrëdhënien e dyshuar mes Huang dhe Alice Huang, por kishte zgjedhur të mos ndërhynte. Sipas raportimit, Trump kishte frikë se një veprim i tillë mund të dëmtonte shitjet e çipave, të cilat kanë rëndësi për ekonominë dhe tregun financiar amerikan, si dhe të komplikonte marrëdhëniet tregtare me Pekinin.
Ndërkohë, Kina ka konfirmuar se negociatat për një takim trepalësh në fund të muajit në Kinë, mes Trump, Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin, kanë hyrë në një fazë të avancuar./mxh
