Last Updated on 09/11/2026 by EL
Komisioni i Posaçëm Parlamentar Reformës Administrativo-Territoriale, fazën e dytë të ka nisur punën, sërish pa pjesëmarrjen e opozitës. Mazhoranca socialiste vijon me të njëjtën përbërje anëtarësh si në fazën e parë, ndërsa opozita ka mbajtur qëndrimin e paralajmëruar për bojkotin e komisionit.
Mbledhja e parë u drejtua nga Arbjan Mazniku, i cili në nisje i bëri thirrje opozitës të bëhet pjesë e procesit. Ai theksoi se reforma kërkon gjithë përfshirje dhe se dyert e komisionit do të mbeten të hapura për përfaqësuesit e saj gjatë gjithë punës.
“Një reformë e cila prek në mënyrë të qenësishme arkitekturën e shtetit nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse ndërtohet nga një palë e vetme. Ftesa është e hapur sot dhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së komisionit, së pari për opozitën, të cilës i kërkojmë të zërë vendet e saj sot dhe në çdo mbledhje tjetër, sipas miratimit që i është bërë komisionit’, u shpreh Mazniku.
Faza e dytë do të fokusohet te organizimi dhe funksionimi i pushtetit vendor, pas riorganizimit të hartës territoriale nga 61 në 46 bashki. Sipas planit të prezantuar, bashkitë e reja pritet të marrin formë pas zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027, ndërsa njësitë administrative do të ruhen.
“Grupi i parë përfshin funksionet infrastrukturore, grupi i dytë funksionet sociale dhe grupi i tretë funksionet ligj zbatuese. Më pas, kolona e dytë e punës lidhet me financat vendore. Kolona e pestë ka të bëjë me qeverisjen dhe mënyrën se si funksionon pushteti vendor, detyrat e këshillit, detyrat e kryetarit dhe ndërveprimin midis bashkisë, qytetit dhe njësisë administrative”, tha ai.
Në këtë proces pritet të përfshihen edhe ministritë, agjencitë kombëtare, bashkitë, universitetet, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët janë ftuar të paraqesin propozimet dhe ekspertizën e tyre./et
