Autori i sulmit me armë në qytetin polak të Krakovit, ku humbën jetën gjashtë persona dhe u plagosën 15 të tjerë, ka ndërruar jetë në spital, dy ditë pas ngjarjes.
Sipas policisë, 24-vjeçari u qëllua dhe u plagos nga efektivët gjatë përplasjes me ta, pak minuta pasi hapi zjarr në sheshin kryesor të qytetit, të shtunën, më 7 nëntor.
Ai u transportua në spital në gjendje kritike, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale, por nuk arriti të mbijetonte.
Vdekja e tij u konfirmua mëngjesin e sotëm, rreth orës 04:30.
Sulmi ndodhi në sheshin kryesor të qytetit të vjetër të Krakovit, një nga zonat më të frekuentuara nga turistët.
Sipas hetimeve paraprake, autori mbërriti me makinë në shesh dhe hapi zjarr ndaj njerëzve që ndodheshin aty.
Mes gjashtë viktimave ishin katër shtetas polakë, një britanik dhe një austriak.
Pas ngjarjes, policia zbuloi edhe trupat e tre familjarëve të autorit, babait, nënës dhe motrës së tij, në banesën familjare në qytetin Ostrowiec Swietokrzyski, rreth 150 kilometra larg Krakovit. Autoritetet dyshojnë se edhe ata janë vrarë nga 24-vjeçari.
Prokuroria polake e ka trajtuar sulmin si një vepër terroriste, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin dhe nëse autori ka vepruar i vetëm apo ka pasur lidhje me ndonjë grup.
Ministri i Brendshëm kishte deklaruar fillimisht, se i riu ishte i prirur drejt ideologjive të ekstremit të djathtë, por prokurorët kanë theksuar se ende nuk kanë prova që e lidhin sulmin me një motiv të tillë politik.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Poloni, ku sulmet masive me armë janë të rralla.
Autoritetet kanë njoftuar se do të rishikojnë rregullat për pajisjen me leje armëmbajtjeje, pasi edhe autori edhe babai i tij kishin leje për armë zjarri.
Ndërkohë, 15 persona të plagosur vijojnë të marrin trajtim mjekësor në spitale, mes tyre edhe dy efektivë policie që ndërhynë gjatë sulmit./mxh
