Last Updated on 10/11/2026 by Anisa
Shkruan Klevis Bakillari
Unë vij,
nga një vend që nuk bie shi,
ose … bie shumë pak shi;
ca si pika lot,
që i lëshojnë të dashuruarit,
kur ndahen në aeroport.
Unë vij,
nga një vend që e pijnë kafen ngadalë.
Ka pak kafe por shumë fjalë,
biseda pa kapak për rendin e ri mondial.
Dhe, po, ka edhe shumë mall ,
të prindërve jetimë,
për këtu në Perëndim.
Unë vij ,
nga një vend,
ku çdokush plotë tym e ka kokën,
nga dashuria që po i djeg për Europën.
Ndaj kokën e lashë atje!
Le të rrokulliset koka ime,
siç rrokulliset nëpër dekada kjo teza,
e dashurisë së veshur me të zeza;
një herë në sheshin Skënder bej, pastaj në sheshin Nënë Tereza,
apo buzë Senës së vockël, pra Lanës.
Që unë të eci bukur i zbrazur dhe i ftohtë,
këtu me ju, si ju…
si kullat bosh të Tiranës.
Unë vij,
nga një vend ku secili ngutet,
dhe për krimet e fjalës,
Zotit i lutet.
Siç Diellit i luten lulet!
Ndaj kurrë s’e kaloj një të mashuar,
në trotuar;
edhe pse jam i torturuar nga instikti,
i nxitimit të paduruar.
Ka një kohë për gjithçka,
si përfundim. E dimë!
Por bëhet hatà, në vendin tim
nëse politikën nuk e ke fé;
mbi flokë do ta mbjellin një tufë re.
