Edhe pse të divorcuar, sulmuesi argjentinas, Mauro Icardi dhe ish-partnerja e tij, Wanda Nara, vazhdojnë të prodhojnë skandale. Së fundmi, situata ka eskaluar, por fatmirësisht është shmangur më e keqja falë ndërhyrjes së policisë.
Në rrjetet sociale, shfaqet momenti kur policia në Argjentinë, konkretisht në Nordelta, vetëm 30 kilometra larg Buenos Aires, ka ndalur përleshjen fizike mes Mauro Icardit dhe Wanda Narës.
Sipas raportimeve në Argjentinë, thuhet se ish-sulmuesi i Interit kishte mbyllur në dhomë vajzën e tyre 11-vjeçare dhe Wanda kishte shkuar për të nxjerrë prej andej. Më pas shpërtheu sherri mes ish-çiftit, duke u zhvendosur edhe në rrugë.
Njoftimi i policisë nga banorët e zonës ka shmangur dhunën fizike. Mbetet e paqartë se çfarë masa do të merren nga organet kompetente për këtë rast, e ku pritet me interes versioni “real” se çfarë ka ndodhur.
Wanda dhe Icardi kanë qenë të martuar për një kohë të gjatë, për më shumë se 10 vite, ndërsa së bashku kanë dy fëmijë, dy vajza, Francesca dhe Isabella./ad
