Last Updated on 10/11/2026 by Anisa
Rruga për në shtëpi
Shkruan Luljeta Progni
Një rrugë drejt një prej fshatrave më të thella në veriun e Shqipërisë, një rrugë që nuk matet me kilometra, por me kujtime, ngjarje, histori të rrëfyera dhe mall që nuk e shuan koha. Udhëtimi im drejt kullës së Deli Tahirit në Salcën e Nikaj-Mërturit, rruga për në shtëpi.
Panorama e bukur me ngjyrat e vjeshtës të shfaqet në luginën e Drinit, duke kaluar shkamin e Rajës, nëpër Markaj, drejt Lekbibajve. Pasi kalon urën e Mërturit peizazhi nis e ndryshon. Malet të afrohen dhe rrëzë tyre, nëpër shpate shfaqen kullat e gurta.
Prej qendrës së Nikaj-Mërturit në Lekbibaj rruga ngjitet lart dhe lë anash: Gjonpepaj, Peraj, Mserr e Vranë. Përballë duket Shëngjergji, Tetaj, Btoshë e Currajt e Poshtëm. Në të dy anët shfaqen kullat e vjetra, oborret, muret e gurta, copëza arash të mbetura nga jeta e dikurshme, rrethuar me gardhe të vjetra druri të përkulura prej kohës e braktisjes. Rreth e përqark, kreshtat e maleve përqafojnë njëra-tjetrën, ndërsa pyjet e gështenjave, pishave, livadhet dhe krojet i japin peizazhit bukurinë e ashpër të Nikaj-Mërturit.
Duke kaluar mbi Palç, shkëmbinjtë zbresin drejt luginës së Drinit. Pak metra më pas në kodër Palç, shfaqet Salca ku udhëtimi merr një kuptim tjetër; atje janë shtëpitë, gurët, urat e drunjta pemët e vjetra dhe shtigjet që dikur mbanin gjurmët e qindra banorëve. Shumë porta janë mbyllur e nga shumica e oxhaqeve të kullave nuk del më tym, por gjithçka është aty, ashtu siç e kanë jetuar brezat. Aty ku emrat e vendeve janë edhe emra njerëzish, ku çdo gur ka një histori dhe çdo rrugicë të afron me diçka që e ke mbajtur gjithmonë brenda vetes.
Para se të zbres në Salcë, po ngjitem në bjeshkë pa err nata, kaloj përbri Gurit Murg dhe mbi kurorën e Salcës gjendem përballë madhështisë së Majës së Rrshellit rrethuar nga pyjet e lëndinat e arta.
Në fund të këtij rrugëtimi të bukur në Kodër Gjotols, shfaqet kulla e Deli Tahirit, kulla Progni. Aty janë rrënjët e mia. Muret e gurta gjysëm të shembura dhe çatia që nuk i ka rezistuar kohës. E megjithatë kulla vazhdon të qëndrojë në këmbë. Në rreth dy shekuj, kjo kullë është djegur katër herë, por ka qëndruar në këmbë. Atë që nuk ia bënë dot pushtime e regjime, e bëri shpopullimi./ad
