Last Updated on 10/11/2026 by Monika
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka zbuluar detaje rreth afrimeve dhe situatës së lojtarëve në Kombëtare gjatë një interviste për Klan News.
Kreu i FSHF-së konfirmoi zërat për portierin Elia Caprile, duke theksuar se ai tashmë ka marrë pasaportën shqiptare me objektivin e qartë për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi. Duka e cilësoi afrimin e tij si një vlerë të shtuar për skuadrën.
“Zgjedhjet e trajnerit janë subjektive, ai merr ata që mendon se është zgjedhja më e mirë. Ai mund të donte më shumë, por këto janë rregullat e futbollit. Broja është një futbollist me talent dhe ka shumë për të dhënë. Jam i bindur që do të jetë pjesë e Kombëtares dhe do të ketë minutat e veta. Të gjithë jemi me të njëjtin mendim që Broja është një nga më të talentuarit në histori të Kombëtares, por ende nuk e kemi marrë këtë talent. Dëmtimet nuk e kanë lënë që të jetë në formën e tij më të mirë. Jam i sigurt që do na ndihmojë në të ardhmen.
Etrit Berisha, në momentin që u thirr ishte gati. E rëndësishme është që e kemi në Kombëtare dhe do të marrim kontributin e tij në të ardhmen.
Caprile? Ka diçka të vërtetë. Ka marrë pasaportë, me objektivin për të qenë pjesë e Shqipërisë. Kjo është procedurë tani. Ka shumë kapacitet për Shqipërinë. Ka një lidhje me Shqipërinë. Nëse do e kemi në ekipin Kombëtar, do të jetë vlerë e shtuar”, tha Duka./mxh
