Last Updated on 10/11/2026 by Monika
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas pretendimeve të publikuara në lidhje me pajisjen e personelit të Forcave të Armatosura me uniforma dhe mjete individuale, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe larg realitetit.
Në reagimin zyrtar, Ministria thekson se situata nuk mund të përgjithësohet mbi bazën e një denoncimi anonim, pa një verifikim paraprak të fakteve.
Sipas institucionit, pajisja e efektivëve me uniforma dhe mjete individuale realizohet përmes procedurave dhe planifikimeve institucionale, në përputhje me nevojat e strukturave ushtarake dhe detyrimet ligjore.
Ministria nënvizon gjithashtu se çdo shqetësim konkret që lidhet me kushtet e shërbimit të personelit ushtarak trajtohet nga strukturat përgjegjëse, duke garantuar shqyrtimin e problematikave të ngritura.
Në përfundim të reagimit, Ministria e Mbrojtjes vlerëson kontributin e grave dhe burrave të Forcave të Armatosura, duke theksuar se ata meritojnë respektin dhe vlerësimin më të lartë për shërbimin, përkushtimin dhe sakrificat në mbrojtje të sigurisë së vendit dhe qytetarëve./mxh
