Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka deklaruar se hetuesit e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë përballur vazhdimisht me kërcënime për jetën për shkak të hetimeve ndaj grupeve kriminale.
I ftuar në Euronews Albania, Karamuço është shprehur se prokurori më i kërcënuar nga krimi i organizuar në Shqipëri është Altin Dumani, për shkak të dosjeve të rëndësishme që ai po heton.
Sipas Karamuços, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme ndaj jetës së tij dhe familjarëve, Dumanit i është vënë në dispozicion një numër i konsiderueshëm efektivësh për mbrojtjen personale.
“Janë një trupë që përballet çdo ditë me kërcënime, mbani mend kemi pasur deri përplasje duke nxjerrë armët e zjarrit siç ka ndodhur në Fier por edhe raste të tjera që nuk janë bërë publike edhe në Tiranë edhe në Durrës.Prokurori sot më i kërcënuar nga ana e krimit të organizuar sot në Shqipëri është Altin Dumani për shkak të çështjeve që ka dhe numrit të madh të rojeve që i janë vënë në dispozicion. Është parë e udhës të jetë i mbrojtur për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që i janë bërë për vete dhe familjes. Ka një strukturë të posaçme që vlerëson riskun dhe nga ajo është konstatuar që duhet të ketë masa konkrete sidomos ndaj këtij prokurori”, tha Karamuço.
