Një seancë e tensionuar në parlamentin e Izraelit u shndërrua në një përplasje të ashpër politike, pasi ish-kryeministri Naftali Bennett ndërpreu fjalimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke ngritur pyetje mbi lidhjet e disa prej këshilltarëve të tij me Katarin dhe hetimet për sulmin e 7 tetorit 2023.
Gjatë fjalës së Netanyahut në Knesset, Bennett e ndërpreu atë duke e pyetur publikisht për çështjet që kanë shkaktuar debat të madh politik në Izrael.
“Po këshilltarët tuaj nga Katari? A janë mirë? Po hetimi për ngjarjet e 7 tetorit?”, i tha Bennett kryeministrit.
Ndërhyrja shkaktoi reagime të menjëhershme në sallë. Në debat u përfshi edhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i cili sulmoi ashpër ish-kryeministrin, duke e akuzuar për bashkëpunim me Listën e Përbashkët Arabe.
“O njeri i paturp! Je ulur me Listën e Përbashkët dhe do të flasësh?! Je një zero pa vlerë!”, bërtiti Ben-Gvir gjatë përplasjes.
Kryetari i parlamentit, Amir Ohana, tentoi të rikthente qetësinë në sallë dhe u kërkoi deputetëve të respektonin rregullat e seancës, por Bennett iu përgjigj duke thënë se mungesa e respektit vinte nga kundërshtarët e tij.
Situata u përshkallëzua edhe më tej kur në debat u përfshi bashkëshortja e kryeministrit, Sara Netanyahu. Nga vendi i saj ajo iu drejtua Bennett-it me tone të ashpra, duke e quajtur “njeri të pavlerë” dhe “të paturpshëm”.
“Po rri me Listën e Përbashkët Arabe! O njeri i pavlerë! Turp të kesh! I paturp!”, u dëgjua të thoshte Sara Netanyahu.
Ndërkohë, gjatë fjalimit të kryeministrit pati ndërprerje të vazhdueshme, komente dhe të qeshura nga deputetë të opozitës, përfshirë kreun e opozitës Gadi Eisenkot dhe anëtarë të tjerë të parlamentit. Netanyahu priti që zhurma të qetësohej përpara se të vijonte fjalën e tij.
Tensionet vijuan edhe më pas gjatë seancës. Disa deputetë arabë u larguan nga salla gjatë interpretimit të himnit kombëtar izraelit “Hatikvah”, ndërsa debati politik u zhvendos sërish te marrëdhëniet mes partive arabe dhe qeverisë.
Përplasjet nuk u ndalën as gjatë fjalimit të kreut të opozitës, Gadi Eisenkot, i cili u ndërpre nga deputetë të partisë së ekstremit të djathtë Otzma Yehudit për shkak të mungesës së përfaqësuesve të disa partive arabe në sallë.
Seanca e fundit në Knesset u mbyll me akuza të ndërsjella, ndërprerje dhe përplasje personale, duke nxjerrë në pah ndarjet e thella politike në Izrael pas luftës dhe krizës së brendshme politike. /ad
Netanyahu: We must not have a government that is dependent in any way on Ra’am or the Joint List.
Naftali Bennett interrupts once again: And what about your advisors who received money from Qatar? Are they okay?
Ben-Gvir and Netanyahu’s wife, Sara, start scolding Bennett afterwards.
— Tabz (@TabzLIVE) November 10, 2026
