Juventus dhe Napoli po kalojnë një nga fillimet më të dobëta të kampionatit në historinë e tyre të viteve të fundit, duke zhgënjyer tifozët pas 11 javëve të para në Serie A.
Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti ka grumbulluar vetëm 18 pikë, një pikë më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar kur ai zëvendësoi Igor Tudor në pankinën bardhezi. Për të gjetur një ecuri kaq negative në dy dekadat e fundit duhet të kthehemi te sezonet e Massimiliano Allegrit në 2015-16 dhe 2021-22, pasi edhe në vitet e vështira të trajnerëve si Ferrara, Zaccheroni, Pirlo apo Thiago Motta, skuadra kishte më shumë pikë.
I vetmi ngushëllim për “Zonjën e Vjetër” është fakti që po bën një paraqitje të mirë në Europa League me tri fitore dhe një barazim, si dhe forma edhe më e dobët që po kalon rivali i tyre, Napoli. Skuadra e drejtuar tashmë nga Massimiliano Allegri ndodhet tre pikë pas Juventusit, me vetëm 15 pikë të grumbulluara në kampionat dhe me një bilanc negativ në Champions League prej tri humbjesh dhe vetëm një fitoreje.
Kjo është nisja më e keqe e epokës së presidentit Aurelio De Laurentiis, ku me 4 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje, ekipi renditet në vendin e dhjetë, duke barazuar rekordin negativ të Edy Rejas në vitin e parë të rikthimit në Serie A. Diferencat me vitet e kaluara të Napolit janë vërtet dramatike, pasi skuadra ka përkatësisht 14 dhe 16 pikë më pak se gjatë epokës së lavdishme të Spallettit në stol.
Gjithashtu, krahasimet me paraardhësit e tjerë tregojnë një rënie të lirë, duke qenë plot 10 pikë pas Antonio Conte, 9 pas Gennaro Gattuso, 7 pas Rudi Garcia dhe 3 pas Carlo Ancelotti./k.m
