Last Updated on 11/11/2026 by Monika
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli është tashmë ekonomikisht mjaftueshëm i fuqishëm për të hequr dorë gradualisht edhe nga ndihma ushtarake e Shteteve të Bashkuara, duke synuar kalimin drejt një marrëdhënieje të bazuar te partneriteti mes dy vendeve.
Në një deklaratë të zyrës së tij thuhet se Netanyahu kishte shprehur që në vitin 1996 synimin për t’i dhënë fund gradualisht ndihmës financiare amerikane, e cila në atë kohë arrinte në 1.2 miliardë dollarë.
Sipas njoftimit, ky premtim u përmbush dhe, tridhjetë vjet më vonë, Izraeli synon të ndërmarrë një hap të ngjashëm edhe për ndihmën ushtarake.
“Sot Izraeli ka një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme dhe, së bashku me Shtetet e Bashkuara, po ndërmerr një hap të rëndësishëm drejt kalimit nga një marrëdhënie e bazuar te ndihma në një marrëdhënie të mbështetur te partneriteti”, thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit.
Netanyahu e kishte bërë të ditur këtë synim edhe në muajin maj, gjatë një interviste për emisionin “60 Minutes” të televizionit amerikan CBS, ku deklaroi se dëshironte ta reduktonte gradualisht ndihmën financiare amerikane, deri në ndërprerjen e plotë të saj.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi këtë javë në Paris se iniciativa për reduktimin e ndihmës ishte propozuar nga vetë pala izraelite.
“Ky është një hap që vetë izraelitët na kanë propozuar”, u shpreh Rubio.
Sipas zyrës së Netanyahut, iniciativa e përbashkët e kryeministrit izraelit dhe presidentit amerikan Donald Trump synon të dëshmojë forcën e aleancës mes dy vendeve dhe përshtatjen e saj me rrethanat e reja ndërkombëtare./MXH
