Nga Edmond Spaho
Rama vazhdon i vendosur në modelin e tij që në krye të institucioneve të emërojë njerëz pa lidhje me to, pa përgatitjen dhe përvojën e lartë profesionale dhe nga rrethi i ngushtë i tij në Kryeministri.
Kjo ka bërë që të mos kemi institucione që t’i përgjigjen nevojave të vendit, por të kemi zgjatime të pushtetit të Ramës në to. Praktika e sipërpërmendur ka dëmtuar vetë Ramën.
Qeverisja e tij nuk ka dalë dot përtej qerthullit të Kryeministrisë.
Institucionet jo vetëm nuk kanë përshpejtuar zhvillimin e vendit, por ato nuk e kanë ndihmuar vetë Ramën, nuk i kanë paraprirë në vendimmarrje, nuk i kanë lehtësuar punën, përkundrazi e kanë dëmtuar me korrupsion, gafa dhe paaftësinë profesionale.
Eksperienca e institucioneve të sigurisë kombëtare, veçanërisht e CIA-s, na ka dhënë dy modele të emërimit të drejtuesit të saj.
E para: një profesionist me eksperiencë shumë të gjatë në institucion, me vizion për institucionin dhe besim të plotë nga trupa e tij, me kredibilitet të padiskutueshëm dhe lidhje të gjera me organizmat e vendeve partnere. Emërimi në fjalë, me gjithë përpjekjet për ta paraqitur si të tillë, nuk hyn në këtë kategori. Është udhëtare e rastësishme në SHISH, sikurse ajo që po zëvendëson.
E dyta: një politikan i nivelit të lartë e shumë të lartë, me kredibilitet, autoritet dhe vendosmëri për të realizuar ndryshimet e nevojshme dhe mbajtur institucionin në roje të sigurisë kombëtare. Edhe në këtë rast emërimi i ri dështon të jetë i tillë.
Mosreflektimi i Ramës ndaj një problemi kaq të rëndësishëm për vendin dhe për vetë qeverisjen e tij, ka bërë që Shqipëria në 13 vitet e fundit të hyjë në kriza ciklike, të cilat kanë vënë në dyshim qeverisjen, rezultatet dhe vetë Ramën. Protesta e fundit është rrjedhojë tipike e modelit të tij të qeverisjes së vendit.
