Last Updated on 12/11/2026 by Monika
Pedagogia Nora Malaj komentoi emërimin e Esmeralda Hasanit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, duke ngritur pikëpyetje mbi situatën në të cilën ajo merr drejtimin e institucionit.
Në emisionin Now në Euronews Albania, Malaj u shpreh se SHISH ka pësuar një goditje në besimin e opinionit publik, duke e cilësuar zgjedhjen e drejtueses së re si një vendim me dy kahe.
Sipas saj, emërimi mund të jetë një mundësi për të rikthyer besimin te institucioni, por nga ana tjetër, Hasani përballet me një situatë të vështirë për shkak të zhvillimeve të mëparshme dhe paragjykimeve që mund ta shoqërojnë në detyrën e re.
“Karrigia ku do të ulet zonja që në krye të herës është bërë pis dhe e vë në një pozicion shumë paragjykues. Unë ndiej keqardhje për këtë gjë, sepse përdoret gjithmonë gruaja në paragjykim. Të gjithë ata që kanë punë me SHISH i ka kapur ataku i panikut”, u shpreh Malaj.
Ajo theksoi gjithashtu se goditja ndaj drejtimit të institucionit ka ndikuar edhe në perceptimin publik për funksionimin e tij dhe rolin që SHISH ka në sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me jashtë.
“SHISH ka pësuar një metamorfozë, në kuptimin që kur i goditet koka, edhe trupi, sado i konsoliduar të jetë, e ka pësuar goditjen e fortë, në radhë të parë në besimin e opinionit publik”, deklaroi pedagogia.
Malaj shtoi se zhvillimet e vërteta që kanë ndodhur brenda institucionit mbeten ende të panjohura për publikun, duke theksuar se ajo që shfaqet në skenën publike mund të jetë shumë larg asaj që ka ndodhur në prapaskenë./mxh
