Last Updated on 12/11/2026 by Monika
Ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo njoftoi se ka filluar prodhimi i serialit të tij të parë televiziv “Day 1s”, duke shënuar kështu sipërmarrjen e tij më të re në industrinë e argëtimit.
Sulmuesi 41-vjeçar i klubit Al Nassr e ndau lajmin në Instagram, duke zbuluar se po bashkëpunon me regjisorin britanik Matthew Vaughn, me të cilin themeloi kompaninë e prodhimit “UR Marv Studios” në vitin 2025. Vaughn njihet për regjinë e filmave si “Kingsman” dhe “X-Men: First Class”.
“Lajm emocionues! Ka filluar prodhimi i serialit tim të parë televiziv ‘Day 1s’. Priten të tjera!”, shkroi Ronaldo.
Ky serial dramatik do të trajtojë anën e biznesit në futbollin britanik, duke ndjekur historinë imagjinare të Stanley Dalton, një agjent i shquar futbolli që lundron në botën komplekse të transferimeve të lojtarëve, negociatave dhe marrëveshjeve tregtare.
Aktori britanik Damian Lewis, i njohur për rolet e tij në serialet “Homeland” dhe “Billions”, do të luajë rolin e Daltonit. Në projekt janë përfshirë gjithashtu ish-sulmuesi i Arsenalit dhe i kombëtares franceze, Thierry Henry, si dhe reperi britanik Dave.
Seriali bazohet në një koncept origjinal të zhvilluar nga agjenti i futbollit Darren Dein, i cili përfaqëson ish-lojtarin e kombëtares franceze, Henry.
Sipas Carlos Peres, drejtorit kreativ të kompanisë së prodhimit, Ronaldo i cili së fundmi është tërhequr nga futbolli ndërkombëtar, por vazhdon të luajë për klubin saudit do të shërbejë si producent ekzekutiv dhe do të shfaqet në rolin e vetvetes në një numër të kufizuar episodesh.
Fituesi pesë herë i çmimit “Ballon d’Or” ndau gjithashtu fotografi ku shfaqen Vaughn, Lewis dhe Dave si dhe një imazh të dhomës së zhveshjes së klubit të Premier Ligës, Brentford.
Ende nuk është bërë e ditur data e publikimit, platforma e transmetimit apo numri i episodeve./mxh