Last Updated on 13/11/2026 by Anisa
Ndarja nga jeta e Gjergj Hanit, në moshën 57-vjeçare, ka sjellë reagime të shumta nga figura të politikës, studiues dhe njerëz që e kanë njohur nga afër. Ish-i përndjekuri politik, i cili vuajti dy herë burgjet e regjimit komunist dhe sfidoi diktaturën që në adoleshencë, është kujtuar për qëndresën, fisnikërinë dhe integritetin e tij.
Hani u bë më i njohur për publikun edhe në vitin 2023, kur vendosi të kandidonte për drejtimin e Partisë Demokratike, në një garë ku kërkonte të përfaqësonte një të djathtë të mbështetur te vlerat dhe idealet e saj.
Ish-deputetja Flutura Açka e ka kujtuar me fjalë prekëse, duke vënë në dukje pikërisht cilësitë njerëzore dhe politike që, sipas saj, ai përfaqësonte.
“Të kujtohesh i përkorë, me klas, mirësi dhe i paepuri politik, siç ishe! Prehu në paqe!
E djathta nuk gjeti dot shpirt, as bujari, as ideologji pēr vend në tryezën politike të saj, për djem si Gjergj Hani, por me tepri për ata që na hanin. Dhe na hanë!”
Historinë e tij të përndjekjes dhe dy burgimeve e ka sjellë në vëmendje historiani Kastriot Dervishi, i cili ka publikuar edhe detaje nga dokumentet e kohës.
Sipas tij, më 27 maj 1985, kur ishte vetëm 16 vjeç, Gjergj Hani tentoi të arratisej përmes liqenit të Pogradecit, në zonën e Linit. I diktuar nga ndriçimi i postës kufitare, ai u qëllua me armë zjarri dhe u detyrua të dorëzohej për të mos humbur jetën.
Më 1 korrik 1985, Gjykata e Rrethit Durrës e dënoi me pesë vite burg për tentativë arratisjeje. Dënimin e vuajti në burgun e Qafë-Barit, ku u lirua pas amnistisë së janarit 1986.
Por përndjekja nuk përfundoi aty. Në korrik të vitit 1987, Hani u arrestua sërish dhe, në nëntor të po atij viti, u dënua me 11 vite burg. Edhe këtë herë, ai e vuajti dënimin në Qafë-Bari, derisa u lirua në shkurt të vitit 1991.
Ndërkohë, drejtuesja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, ka ndarë një rrëfim të gjatë mbi bazën e dosjes së tij, duke zbuluar detaje nga përndjekja që nisi kur Hani ishte ende adoleshent.
Sula tregon se pas lirimit të parë, Sigurimi i Shtetit vijoi ta mbante nën vëzhgim dhe madje propozoi rekrutimin e tij si informator. Por Hani nuk pranoi bashkëpunimin e fshehtë.
Në dosjen e tij, sipas Sulës, dokumentohet edhe një fjali që ai kishte thënë në moshën 16-vjeçare, duke shprehur dëshirën për të arritur në Amerikë:
„Mjafton të vë këmbën tek Statuja e Lirisë, në Amerikë, pastaj le të vdes.”
Për Sulën, historia e Hanit nuk është thjesht një dëshmi e së kaluarës, por një kujtesë për një brez që u rrit nën diktaturë dhe për pasojat e konformizmit.
Ajo e mbyll rrëfimin duke theksuar qëndresën e tij:
“I qëlluar me plumba në moshën 16-vjeçare, nuk hoqi dorë nga ëndrra, edhe kur u detyrua ta vizatonte si provë kundër vetes.
I ftuar të bashkëpunonte fshehurazi, nuk pranoi.
I tradhtuar nga moshatarët, nuk i shau.
I ndjekur nga një dosje “e përjetshme”, e mori në dorë dhe vazhdoi të shihte përpara.”
Një tjetër reagim ka ardhur nga Zak Topuzi, i cili e ka njohur Hanin gjatë fushatës së vitit 2023. Ai ka ngritur një pikëpyetje mbi mënyrën se si shoqëria dhe politika shqiptare i kanë trajtuar të përndjekurit politikë gjatë 36 viteve të fundit.
Sipas Topuzit, nderimi i tyre nuk duhet të kufizohet vetëm në homazhe pas vdekjes, por duhet të shoqërohet me dinjitet, drejtësi dhe përfaqësim sa janë gjallë.
“Të përndjekurit politikë nuk kanë nevojë sot për homazhe pas vdekjes, por për dinjitet, drejtësi, vlerësim dhe përfshirje sa janë gjallë.”
Ndërsa gazetari Eraldo Harlicaj ka ndarë një histori personale me Hanin, duke kujtuar një projekt televiziv që kishin lënë përgjysmë. Pas një interviste në burgun e Qafë-Barit, ku Hani ishte burgosur që në moshën 16-vjeçare, ata kishin vendosur të kërkonin dhe të përballeshin me personin që ai e konsideronte përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj tij.
Sipas Harlicajt, Gjergji nuk kërkonte hakmarrje, por donte të dinte nëse personi që i kishte shkaktuar vuajtje ndiente pendesë për atë që kishte bërë.
Ai kujton edhe bisedat e gjata me Hanin për vitet e emigrimit në Itali dhe rifillimin e jetës në Tiranë, duke e përshkruar si një njeri fisnik dhe me këmbë në tokë.
“Kishim një histori të pambyllur me Gjergj Hanin! Mbase do e realizoj një ditë, mbase nuk do e arrij kurrë.
Pas intervistës në Qafë Bari ku ishte burgosur që në moshën 16-vjeçare, vendosëm të gjejmë dhe përballemi me “xhelatin e tij”. Ishte larguar pa i hyrë ferrë në këmbë si shumë të tjerë, pasi i kishin shërbyer me vetëmohim regjimit komunist në kurriz të të burgosurve.
Gjergji nuk kishte urrejtje, donte të dinte vetëm nëse e vriste ndërgjegjja për dhunimin shtazarak që i kishte bërë.”
Harlicaj tregon se, pavarësisht përpjekjeve, ballafaqimi nuk u realizua kurrë. Historia mbeti e papërfunduar, ndërsa Gjergj Hani u nda nga jeta më 12 nëntor 2026.
“Qëndruam e folëm gjatë me Gjergjin gjatë atyre ditëve, për emigrimin në Itali e rifillimin e jetës në Tiranë. Ishte njeri fisnik dhe me këmbë në tokë. Më shkruante shpesh me dëshirën e mirë për ta përfunduar me sukses temën që lamë në mes. Në këtë jetë nuk e realizuam, pasi Gjergji mbylli sytë sot për të shkuar në një vend më të mirë.”
Reagimet pas ndarjes së tij nga jeta rikthejnë në vëmendje jo vetëm historinë e një njeriu që u përball me represionin komunist që në moshë të mitur, por edhe pyetjen se sa vend u është dhënë në jetën politike dhe institucionale të Shqipërisë atyre që vuajtën burgjet dhe përndjekjen e diktaturës./fjala.al-ad
