Udhëzimet e reja rekomandojnë që burrat me rrezik mesatar të kryejnë testin për zbulimin e hershëm të kancerit të prostatës çdo dy vjet, duke filluar nga mosha 50-vjeçare. Për grupet me rrezik të lartë, kontrolli duhet të nisë më herët dhe të kryhet çdo vit.
Shoqata Amerikane e Kancerit (American Cancer Society) ka përditësuar udhëzimet për zbulimin e hershëm të kancerit të prostatës, duke u bërë thirrje më të drejtpërdrejta burrave që të kryejnë kontrolle të rregullta për këtë sëmundje.
Sipas rekomandimeve të reja, burrat me rrezik mesatar duhet të kryejnë kontrollin për kancerin e prostatës çdo dy vjet, duke filluar nga mosha 50 deri në 69 vjeç. Ndërsa burrat me rrezik më të lartë, përfshirë meshkujt me ngjyrë dhe ata që kanë histori të fortë familjare të kësaj sëmundjeje, duhet të nisin kontrollet që në moshën 45-vjeçare, me një frekuencë një herë në vit.
Udhëzimet e përditësuara, të publikuara në revistën shkencore CA: A Cancer Journal for Clinicians, shënojnë një ndryshim të rëndësishëm nga rekomandimet e mëparshme. Deri më tani, theksi vihej kryesisht te vendimmarrja e informuar, duke u kërkuar burrave të diskutonin me mjekun përfitimet dhe rreziqet e testimit.
Dr. William Dahut, drejtues shkencor i Shoqatës Amerikane të Kancerit, theksoi se qëllimi i rekomandimit të ri është që burrat ta marrin më seriozisht kontrollin për kancerin e prostatës.
Ai sqaroi gjithashtu se pas moshës 70-vjeçare, vendimi për të vazhduar kontrollet duhet të merret individualisht, në konsultim me mjekun.
Çfarë parashikojnë udhëzimet e reja?
Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, rekomandimet ndahen në disa kategori:
Burrat me rrezik mesatar: Testi PSA çdo dy vjet, nga mosha 50 deri në 69 vjeç.
Burrat me rrezik të lartë: Testi PSA çdo vit, nga mosha 45 deri në 69 vjeç. Në këtë grup përfshihen meshkujt me ngjyrë dhe burrat që kanë një të afërm të shkallës së parë të diagnostikuar me kancer të prostatës para moshës 65 vjeç, ose disa të afërm të tillë të diagnostikuar në çdo moshë.
Mosha 70–74 vjeç: Vendimi për kontrollin duhet të merret në mënyrë individuale.
Mosha 75 vjeç e lart: Nuk rekomandohet kryerja rutinë e testit të depistimit.
Rezultatet e larta të PSA-së: Rekomandohet përsëritja e analizës, mundësisht dy javë deri në tre muaj pas testit të parë, përpara se të vendoset për ekzaminime të mëtejshme.
Testi PSA, metoda kryesore për zbulimin e hershëm
Testi PSA është aktualisht metoda kryesore e përdorur për depistimin e kancerit të prostatës. Ai kryhet përmes një analize gjaku, e cila mat nivelin e antigjenit specifik të prostatës (PSA), një proteinë e prodhuar nga kjo gjëndër.
Nivelet e larta të PSA-së mund të jenë tregues të pranisë së qelizave kancerogjene në prostatë, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se personi ka kancer.
Rritja e këtij treguesi mund të shkaktohet edhe nga zmadhimi i prostatës, një gjendje e zakonshme te burrat me kalimin e moshës, ose nga infeksionet e prostatës.
Sipas udhëzimeve të reja, konsiderohen jonormale vlerat e PSA-së prej 3 nanogramësh për mililitër ose më shumë te burrat deri në moshën 69-vjeçare, si dhe 6.5 nanogramë për mililitër ose më shumë te burrat e moshës 70–74 vjeç.
Mjekët theksojnë se analiza e parë PSA, veçanërisht kur kryhet në të 40-at ose të 50-at, mund të shërbejë si një pikë referimi për vlerësimin e rrezikut gjatë viteve në vijim.
Pse po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm depistimi?
Kanceri i prostatës është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve nga kanceri te burrat në Shtetet e Bashkuara, pas kancerit të mushkërive.
Sipas të dhënave të Shoqatës Amerikane të Kancerit, rreth një në tetë burra do të diagnostikohet me këtë sëmundje gjatë jetës së tij.
Gjithashtu, numri i rasteve të diagnostikuara në SHBA është rritur me rreth 3% çdo vit gjatë periudhës 2014–2022. Shqetësim të veçantë paraqet rritja e rasteve të zbuluara në stade të avancuara, kur trajtimi bëhet më i vështirë.
Dr. Neeraj Agarwal, onkolog mjekësor dhe bashkëdrejtues i Programit për Kancerin e Prostatës në Institutin e Kancerit Dana-Farber të Harvardit, vlerëson se një rekomandim më i qartë mund të ndihmojë në identifikimin e më shumë rasteve në fazat e hershme.
Sipas tij, deri më tani, fakti që vendimi i lihej kryesisht diskutimit individual mes pacientit dhe mjekut ka bërë që shumë burra të mos informoheshin apo të mos u ofrohej fare testi.
Të dhënat tregojnë se kur kanceri i prostatës zbulohet në fazat e hershme, përpara se të përhapet në pjesë të tjera të trupit, më shumë se 99% e pacientëve mbijetojnë të paktën pesë vjet pas diagnostikimit.
Një studim evropian, i publikuar vitin e kaluar në revistën New England Journal of Medicine, zbuloi se burrat të cilëve u ishte ofruar testimi i përsëritur PSA kishin 13% më pak gjasa të vdisnin nga kanceri i prostatës, krahasuar me ata që nuk ishin ftuar për depistim.
Testi PSA nuk është i përsosur, por mund të shpëtojë jetë
Pavarësisht përfitimeve, specialistët paralajmërojnë se testi PSA ka edhe kufizimet e tij.
Një rezultat i lartë nuk nënkupton gjithmonë praninë e kancerit. Në shumë raste, rritja e PSA-së lidhet me zmadhimin e prostatës dhe jo me një sëmundje malinje.
Kjo mund të çojë në ekzaminime të panevojshme, shqetësim te pacientët, biopsi dhe, në disa raste, trajtime që mund të mos kenë qenë të domosdoshme.
Në të kaluarën, shqetësimet për diagnostikimin dhe trajtimin e tepërt të formave me rrezik të ulët të kancerit të prostatës kishin ndikuar në uljen e rekomandimeve për depistim.
Megjithatë, zhvillimi i teknologjive të reja mjekësore ka përmirësuar ndjeshëm mënyrën se si vlerësohen pacientët me rezultate të larta të PSA-së.
Sot, mjekët mund të përdorin rezonancën magnetike (MRI), analizat e biomarkerëve dhe testet gjenomike për të përcaktuar më saktë se cilët pacientë kanë nevojë për biopsi dhe trajtim.
Në rastet me rrezik të ulët, mund të rekomandohet edhe mbikëqyrja aktive, pa qenë e nevojshme ndërhyrja e menjëhershme kirurgjikale apo radioterapia.
Burrat me ngjyrë përballen me rrezik më të lartë
Një nga grupet që mund të përfitojnë më shumë nga kontrollet e rregullta janë burrat me ngjyrë.
Sipas specialistëve, ata kanë rrezik më të lartë për t’u prekur nga kanceri i prostatës, për t’u diagnostikuar në moshë më të re dhe për të zhvilluar forma më agresive të sëmundjes.
Dr. Neeraj Agarwal vlerëson se ky grup duhet të nisë kontrollet edhe më herët, rreth moshës 40-vjeçare, ndonëse rekomandimi i ri i Shoqatës Amerikane të Kancerit përcakton moshën 45 vjeç.
Edhe Fondacioni për Kancerin e Prostatës dhe Shoqata Amerikane e Urologjisë sugjerojnë që burrat me ngjyrë të diskutojnë nisjen e depistimit rreth moshës 40-vjeçare.
Sipas të dhënave të cituara nga specialistët, një në gjashtë burra me ngjyrë rrezikon të diagnostikohet me kancer të prostatës gjatë jetës, ndërsa rreziku i vdekjes nga kjo sëmundje është dy deri në katër herë më i lartë krahasuar me burrat e tjerë.
Çfarë duhet të bëjnë burrat?
Ekspertët theksojnë se zbulimi i hershëm nuk varet vetëm nga kryerja e analizës PSA, por edhe nga ndjekja e duhur mjekësore pas marrjes së rezultatit.
Nëse niveli i PSA-së rezulton i lartë, pacienti duhet të konsultohet me mjekun për të përcaktuar nëse nevojiten analiza të tjera, rezonancë magnetike, biopsi apo ekzaminime të specializuara.
Gjithashtu, rëndësi të veçantë ka mundësia për të pasur akses në kujdesin shëndetësor, te mjeku specialist dhe te trajtimi në kohën e duhur.
Rekomandimi i ri i Shoqatës Amerikane të Kancerit synon të thjeshtojë procesin e depistimit dhe të nxisë më shumë burra të kujdesen për shëndetin e tyre./ad
