Rudina Dembacaj ka folur për largimin nga emisioni “Goca dhe Gra”, duke zbuluar detaje mbi përfundimin e bashkëpunimit dhe marrëdhëniet që ruan sot me ish-koleget.
E ftuar në emisionin “Andale”, aktorja dhe moderatorja ka treguar se raportet me vajzat e panelit vijojnë të jenë shumë të mira. Ajo u shpreh se nga kjo eksperiencë ka fituar miqësi që i ruan ende, duke theksuar se nuk kanë pasur asnjëherë konflikte mes tyre.
“Patjetër që po, i kam shumë mikesha. Puna për këtë duhet të shërbejë, që t’ia kalosh mirë në radhë të parë. Pastaj, nëse ka ndonjë keqkuptim, duhet sqaruar, se nuk kemi më moshë të merremi me budallallëqe”, u shpreh ajo.
Dembacaj kujtoi gjithashtu kohën kur ishte pjesë e këtij formati, duke e cilësuar panelin si të veçantë dhe marrëdhënien mes vajzave si shumë pozitive.
“Ne kemi qenë një panel i jashtëzakonshëm, nuk kemi pasur kurrë probleme, gjithmonë ia kemi kaluar mirë”, tregoi moderatorja.
Sa i përket largimit nga emisioni, Rudina sqaroi se vendimi nuk kishte ardhur prej saj, por ishte rezultat i përfundimit të kontratës, e cila rinovohej në çdo sezon.
“Unë nuk ika, mbaroi kontrata. Është një kontratë që rinovohet çdo sezon, por nuk ma rinovuan”, shpjegoi ajo.
Megjithatë, moderatorja nuk e ka konsideruar këtë si një zhgënjim, pasi edhe vetë mendonte se kishte ardhur momenti për të mbyllur këtë kapitull. Pas një periudhe të gjatë në panel, temat kishin nisur të përsëriteshin dhe ajo ndiente se nuk kishte më shumë gjëra të reja për të diskutuar./mxh
