Last Updated on 14/11/2026 by EL
Në 95-vjetorin e lindjes së Dritëro Agollit, Tirana i kushtoi një mbrëmje të veçantë një prej personaliteteve më të dashura dhe më përfaqësuese të letërsisë shqipe. Një takim ku poezia kapërceu faqet e librave për të marrë jetë në skenë, ku vargjet u bënë muzikë, kujtimet u kthyen në emocione dhe breza të ndryshëm u bashkuan rreth veprës së një shkrimtari që vazhdon të flasë me të njëjtën forcë e vërtetësi edhe sot.
“Fiton ai që s’mban për vete asgjë, bile as dritën, por njerëzve ua jep në jetë, ashtu si dielli dritën”. Këto vargje të Dritëroit shërbyen si një fill i ndjeshëm që përshkoi mbrëmjen, duke sjellë në vëmendje jo vetëm madhështinë e poetit, por edhe filozofinë njerëzore që përshkon krijimtarinë e tij: bujarinë e shpirtit, dhënien pa kursim, dashurinë për njerëzit dhe aftësinë për të gjetur poezinë në gjërat më të zakonshme të jetës.
Dritëro Agolli ishte poeti që i dha zë njeriut të zakonshëm, që e ktheu përvojën njerëzore në art dhe të përditshmen në poezi. Në vargjet e tij jetojnë vendlindja, kujtimet e fëmijërisë, dashuria, malli, humori, brenga dhe shpresa. Pikërisht kjo afërsi me jetën, kjo gjuhë e drejtpërdrejtë, por e pasur në kuptime, e bëri veprën e tij pjesë të kujtesës së disa brezave të lexuesve.
Mbrëmja nisi me një performancë baleti nga fëmijët, të veshur me të bardha, të cilët përmes një koreografie të frymëzuar nga baleti klasik sollën në skenë hijeshi dhe delikatesë artistike. Më pas, fjala poetike mori jetë përmes interpretimeve të aktores Luiza Xhuvani dhe aktorit Vasjan Lami, duke rikthyer për publikun tingullin, ritmin dhe ndjeshmërinë e vargut agollian.
Një dimension të veçantë i dha mbrëmjes ndërthurja e poezisë me muzikën, përmes krijimeve të kompozitorit Gjergj Kaçinari. Vargjet e njohura të Dritëroit, të shndërruara në këngë, krijuan një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun. Kur tingëlluan këngët “Kur të jesh mërzitur shumë”, “Këtu s’do jem” dhe krijime të tjera të dashura, emocionet u bënë të përbashkëta. Të pranishmit iu bashkuan artistëve duke kënduar, në një prej atyre çasteve kur skena dhe publiku nuk ndahen më nga njëri-tjetri, por bëhen pjesë e së njëjtës përjetese artistike.
Mbrëmja vijoi me një tjetër koreografi të fëmijëve, këtë herë të veshur me të kuqe, duke sjellë në skenë ngjyra, lëvizje dhe ritëm. Dy performancat e baletit, interpretimet poetike dhe muzika krijuan një mozaik artistik, ku letërsia u takua me artet e tjera dhe dëshmoi se fjala e Dritëroit ka një jetë që shkon përtej librit.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin vajza e poetit, Leona Agolli, së bashku me familjen e saj, nipërit dhe mbesat e shkrimtarit, miq, dashamirës të letërsisë, përfaqësues të botës kulturore dhe artistike. Veçanërisht mbresëlënëse ishte pjesëmarrja e të rinjve, prania e të cilëve i dha këtij përvjetori një kuptim të veçantë: trashëgimia e Dritëroit nuk është vetëm një kujtim që ruhet, por një vepër që vazhdon të zbulohet dhe të përjetohet nga brezat që vijnë.
Ky është edhe thelbi i misionit të Fondacionit Kulturor “Dritëro Agolli”, i cili përmes projektit “Roots & Rhythms” synon të mbajë të gjallë dhe të përcjellë trashëgiminë e shkrimtarit në forma të reja komunikimi me publikun. Rrënjët përfaqësojnë gjuhën, vendlindjen, kujtesën dhe botën njerëzore që Dritëroi mbarti në jetën dhe krijimtarinë e tij; ritmet mishërojnë mënyrat se si kjo trashëgimi vijon të flasë sot, përmes muzikës, skenës, artistëve dhe ndjeshmërisë së brezave të rinj.
Në këtë përvjetor, Fondacioni shprehu mirënjohjen për Bashkinë e Tiranës, Shtëpinë-Studio Agolli, Muse-X, artistët dhe të gjithë bashkëpunëtorët që kontribuojnë në ruajtjen, promovimin dhe përcjelljen e kësaj pasurie të çmuar të kulturës shqiptare.
Ndoshta kjo është mënyra më e bukur për të nderuar Dritëro Agollin: jo vetëm duke e kujtuar, por duke e bërë të pranishëm në jetën tonë kulturore; jo vetëm duke lexuar vargjet e tij, por duke i dëgjuar, kënduar dhe përcjellë te brezat e rinj. Sepse 95 vite pas lindjes, Dritëroi mbetet një poet i kohës së tij dhe i çdo kohe, një zë që nuk shuhet, pasi drita që u dha njerëzve përmes fjalës vazhdon të ndriçojë.
