Last Updated on 14/11/2026 by Monika
Edhe nëse Benjamin Netanyahu largohet nga pushteti, ndikimi i së djathtës ekstreme në Izrael pritet të mbetet i fortë dhe të vazhdojë të përcaktojë politikat e vendit.
Ndërsa opozita izraelite po përpiqet të rrëzojë kryeministrin, vëmendja është përqendruar te e ardhmja e dy figurave më radikale të qeverisë së tij, ministrit të Financave Bezalel Smotrich dhe ministrit të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir. Të dy kanë kundërshtuar publikisht mundësinë e krijimit të një qeverie të unitetit me ish-shefin e ushtrisë, Eisenkot, duke e parë atë si një kërcënim për agjendën e tyre politike.
Smotrich dhe Ben-Gvir u bënë pjesë e qeverisë së Netanyahut në vitin 2022, duke marrë drejtimin e dy prej dikastereve më të rëndësishme në vend. Gjatë tre viteve në pushtet, ata kanë përdorur pozitat e tyre për të shtyrë përpara politika gjithnjë e më radikale, veçanërisht ndaj palestinezëve.
Zgjedhjet në Izrael, Netanyahu kryeson rezultatet
Të dy kanë mbështetur luftën në Gaza dhe kanë kërkuar zgjerimin e vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara, ndërsa kanë bërë vazhdimisht thirrje për aneksimin dhe dëbimin e palestinezëve nga Gaza. Qëndrimet e tyre kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare dhe në qershor 2025, disa vende perëndimore vendosën sanksione ndaj tyre, përfshirë kufizime udhëtimi dhe ngrirje të aseteve.
Megjithatë, analistët theksojnë se largimi i tyre nga qeveria nuk do të thotë domosdoshmërisht dobësim i së djathtës ekstreme. Sipas studiuesit Arie Perliger, dy ministrat kanë ndërtuar ndikimin e tyre në mënyra të ndryshme. Ben-Gvir mbështetet kryesisht te retorika populiste dhe përplasjet publike, ndaj qëndrimi në opozitë mund t’i shërbejë për të forcuar profilin e tij politik.
Ndërsa Smotrich ka shfrytëzuar pushtetin institucional, veçanërisht postin e ministrit të Financave dhe kompetencat mbi administrimin civil në Bregun Perëndimor, për të zgjeruar kontrollin mbi vendbanimet izraelite. Kjo do ta bënte largimin nga qeveria më të kushtueshëm për të, pasi do të humbiste ndikimin mbi buxhetet dhe vendimmarrjen.
Ndryshimet e ndërmarra nga të dy ministrat mund të kenë pasoja edhe shumë kohë pas largimit të tyre nga pushteti. Smotrich ka krijuar struktura të reja administrative për të përshpejtuar zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, ndërsa Ben-Gvir akuzohet se ka politizuar policinë dhe ka ashpërsuar ndjeshëm kushtet e trajtimit të të burgosurve palestinezë. Analistët paralajmërojnë se këto ndryshime nuk mund të zhbëhen lehtësisht, pasi janë rrënjosur në institucione dhe në terren.
Edhe nëse opozita arrin të largojë Netanyahun dhe dy ministrat e tij nga pushteti, lëvizjet e tyre politike mund të vazhdojnë të kenë mbështetje të konsiderueshme. Sipas vlerësimeve të studiuesve, partitë e tyre përfaqësojnë rreth 10 për qind të elektoratit izraelit, çka tregon se e djathta ekstreme nuk është thjesht një produkt i qeverisë aktuale, por një forcë që mund të mbetet me ndikim për shumë vite./mxh
