Kombëtarja e Argjentinës ka nisur një epokë të re pa praninë e Lionel Messit me një humbje 2-1 në ndeshjen miqësore ndaj Uruguait, të zhvilluar në stadiumin “Bombonera”.
Në takimin e parë pas rinovimit të kontratës së trajnerit Lionel Scaloni deri në vitin 2030, nënkampionët e botës zhvilluan një paraqitje zhgënjyese përpara tribunave gjysmë të zbrazëta.
Ndonëse miqtë e drejtuar nga Diego Forlan e mbyllën pjesën e parë pa asnjë gjuajtje në portë, ata kaluan në avantazh pas një autogoli të Leonardo Balerdi, i cili u godit në fytyrë nga një largim i gabuar i topit nga Lisandro Martinez.
Epërsia e uruguajanëve u dyfishua pas një goditjeje nga këndi, ku Maximiliano Araujo shënoi golin e dytë përballë një Argjentine që vuajti dukshëm mungesën e krijimtarisë së Messit. Skuadra vendase arriti të gjallërohej vetëm pas inkuadrimit të Gianluca Prestianni, i cili në minutën e 72-të depërtoi në krahun e majtë dhe asistoi saktë për Julian Alvarez që ngushtoi rezultatin në 2-1.
Në një tjetër sfidë miqësore të luajtur në Singapor, Kombëtarja e Brazilit pësoi një disfatë dramatike me rezultatin 3-2 përballë Japonisë. Aziatikët dominuan fraksionin e parë duke shënuar dy herë me anë të Kubo dhe Nakamura, përpara se brazilianët të reagonin dhe të barazonin përkohësisht me dy gola të sulmuesit Vinicius.
Fitorja i takoi Japonisë falë një goli të Sakamoto në minutat shtesë, i cili shkaktoi protesta të ashpra nga brazilianët për një faull në nisje të aksionit, duke sjellë ndëshkimin me karton të kuq për trajnerin Carlo Ancelotti dhe lojtarin Raphinha./mxh
