Mijëra fluturime janë anuluar ose vonuar në Shtetet e Bashkuara, ndërsa sistemi i transportit ajror po përpiqet të rikthehet në normalitet pas bllokimit më të madh kombëtar që prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Vetëm të shtunën janë anuluar rreth 4,500 fluturime dhe 4,400 të tjera janë vonuar, ndërsa një ditë më parë u anuluan afro 10 mijë fluturime dhe mbi 7 mijë u vonuan.
Drejtori i Administratës Federale të Aviacionit (FAA), Bryan Bedford, kërkoi ndjesë për kaosin dhe deklaroi se sistemi tashmë është stabilizuar, duke parashikuar që operacionet ajrore të rikthehen kryesisht në normalitet deri të dielën në mbrëmje. Problemi nisi të premten, kur një defekt masiv në komunikimet e kontrollit ajror detyroi autoritetet të ndalonin për gati pesë orë pothuajse të gjitha fluturimet në nisje, në të gjithë vendin.
Rikthehen pas 4 orësh bllokimi fluturimet në SHBA
Fillimisht, Shtëpia e Bardhë thirri një mbledhje urgjente dhe autoritetet hetuan mundësinë e një sulmi kibernetik. Megjithatë, sekretari i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se ndërprerja dyshohet se u shkaktua nga instalimi i një ruteri të ri nga kompania kontraktore L3Harris në një objekt të largët. Sipas tij, defekti shkaktoi mbingarkesë të qendrave të komunikimit, duke prekur 17 nga 22 qendrat e kontrollit të trafikut ajror në vend. Autoritetet po hetojnë nëse bëhet fjalë për gabim njerëzor gjatë instalimit apo për pajisje me defekt.
Ndërkohë, mijëra pasagjerë mbetën të bllokuar në aeroporte, ndërsa kompanitë ajrore po përpiqen të riorganizojnë ekuipazhet dhe personelin për të rifilluar fluturimet. Delta, United dhe American Airlines anuluan secila rreth 20% të fluturimeve të së shtunës, ndërsa JetBlue rreth 40%.
Sekretari Duffy e cilësoi situatën një emergjencë dhe kërkoi 50 miliardë dollarë nga Kongresi për modernizimin e sistemit të kontrollit ajror, i cili prej kohësh përballet me pajisje të vjetëruara, probleme teknike dhe mungesë të mijëra kontrollorëve./mxh
