Last Updated on 15/11/2026 by Anisa
Këngëtarja Jonida Maliqi është përplasur me psikologen Anjeza Dishnica, lidhur me trajtimin e fëmijëve në spektrin e autizmit.
Pas rrëfimit për përvojën personale të djalit të saj i cili i përket spektrit të autizmit, këngëtarja është përballur me psikologen në Top Channel mbi akuzat për diagnostikim të gabuar.
Pjatë përballjes, psikologia i drejtoi këngëtares pyetje lidhur me terapitë që kishte ndjekur djali i saj ndër vite dhe mbështetjen që kishte marrë familja pas identifikimit të vështirësive. Dishnica u ndal te terapia ABA, duke shpjeguar se kjo metodë aplikohej në Shqipëri që prej vitit 2014. Sipas saj, trajtimi përfshin zhvillimin e aftësive individuale të fëmijës dhe më pas socializimin, i cili mund të jetë një proces veçanërisht sfidues për fëmijët në spektrin e autizmit.
Debati u tensionua më tej kur u kërkuan sqarime mbi pretendimin e Jonidës se diagnoza e fëmijës së saj ishte përcaktuar nga vetë specialistja.
Maliqi u shpreh se mënyra se si i ishte komunikuar informacioni për të birin e kishte traumatizuar. Sipas saj, kjo përvojë kishte ndikuar në besimin e tyre ndër vite, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në atë njerëzor. Në një moment të debatit, Jonida bëri akuza të drejtpërdrejta ndaj psikologes, duke pretenduar se ajo i kishte thënë se i biri “nuk do të bëhet kurrë” dhe se i kishte rekomanduar të ndiqte pesë deri në gjashtë orë terapi në ditë në qendrën e saj.
“Ti i ke parë fëmijët si bankomate, e dashur. Dhe këtu ndahet mjekësia me njerëzoren”, u shpreh këngëtarja, duke shtuar se nuk ishte rasti i vetëm.
Ajo pretendoi gjithashtu se psikologia e kishte këshilluar të mos e dërgonte të birin në kopsht dhe në shkollë, por ta përfshinte në disa orë terapi në qendrën e saj.
“Duhet të vijë të bëjë 5-6 orë terapi në qendrën time për të përfituar ti paratë tona”, ishte akuza e Jonidës gjatë përplasjes.
Nga ana tjetër, Anjeza Dishnica deklaroi se problematikat i kishte identifikuar që në kontaktin e parë me familjen, duke theksuar se procesi i identifikimit nis që në takimin fillestar.
Pas kësaj përplasjeje, këngëtarja ka bërë një reagim të gjatë në rrjetet sociale. Ajo shprehet se në vend që t’i jepte përgjigje, psikologia reklamoi profesionalizmin e saj. Por sipas këngëtares, profesionalizmi nuk matet vetëm me diploma.
Më tej ajo falënderon të gjithë prindërit që janë gjendur në situatë të njëjtë dhe e kanë mbështetur.
“Sot nuk flas si artiste. Por si nene e grua që ka përjetuar emocione të frikshme kundrejt psikologes jo mjekes apo profesionistes që nuk arriti kurrë të përgjigjej konkretisht për një përballje në kushte të barabarta. Devijoi duke reklamuar profesionalizmin e saj dhe empati nuk arriti të thoshte të vërtetën e hidhur që ka të bëjë me mos empatine dhe pasojat e shumë rasteve si i imi. Falenderoj të gjithë prindërit për mesazhet e shumta që më kanë dërguar me përjetimet e tyre duke kuptuar që komuniteti qenka më i gjerë se sa e kisha menduar. Shpresa për të gjetur rrugën e duhur, vazhdon.
Profesionalizmi nuk matet vetëm me diploma. Në përballjen që kërkova, prisja përgjigje konkrete, përgjegjësi dhe empati. Në vend të tyre, përjetova shmangie të thelbit dhe një përpjekje për të mbrojtur imazhin profesional. Fjalët kanë pasoja. Një vlerësim i nxituar, një prognozë e pambështetur apo mungesa e empatisë mund të lënë plagë të thella te një prind. Përgjegjësia profesionale fillon aty ku kuptohet pesha e fjalës. Nuk qenkam vetëm. Mesazhet tuaja më kanë emocionuar dhe tronditur. Faleminderit çdo prindi që më besoi historinë e tij. Kam kuptuar se pas shumë dyerve të mbyllura ekzistojnë të njëjtat frikëra, beteja dhe zhgënjime.
Mos e humbni kurrë shpresën. Mos lejoni që një fjalë, një paragjykim apo një prognozë e nxituar të përcaktojë të ardhmen e fëmijës suaj. Askush nuk mund ta përkufizojë jetën e një fëmije me një fjali. Kërkoni vlerësime të mirëfillta.Drejtojuni qendrave të specializuara me ekipe multidisiplinare. Kërkoni shpjegime, mendime të dyta dhe profesionistë që shohin fëmijën përpara diagnozës.Shqetësimi i një familjeje nuk duhet të kthehet në mundësi për përfitim financiar. Autizmi nuk është sëmundje. Është një gjendje e neurozhvillimit, pjesë e spektrit të neurodiversitetit. Nuk është fundi i ëndrrave tona për fëmijët. Është fillimi i një mënyre tjetër për të njohur, kuptuar dhe përqafuar botën e tyre.
Në sytë e tyre, bota ka më shumë ngjyra, më shumë dritë dhe më pak ligësi. Ata e shohin botën me pastërtinë e një shpirti që nuk njeh prapamendime, interesa apo keqdashje. Janë si kristale që ndriçojnë, plot pafajësi, sinqeritet dhe dashuri të pakushtëzuar. Një dashuri aq e pastër dhe e madhe, sa të ndryshon mënyrën si e sheh jetën. Ndoshta nuk janë ata që duhet të mësojnë ta shohin botën si ne. Ndoshta jemi ne që kemi më shumë nevojë ta shohim botën si ata.”– shkruan ajo.
