Shkrimtarja Mimoza Ahmeti, i është përgjigjur një sulmi të bërë ndaj saj nga aktivisti Andi Tepelena, përmes një reagimi të bërë për redaksinë e SHEKULLI-t.
Aktorja shprehet se krahasimi që Tepelena i ka bërë indirekt, me spiunët e komunizmit, është një shpifje e shëmtuar në adresë të saj, veçanërisht duke marrë parasysh censurën që ajo ka përjetuar përgjatë regjimit.
“Shumë e shëmtuar shpifja e Andi Tepelenës, qoftë edhe në shumës. Jam një autore që e kam provuar censurën e atij regjimi, deri në grisjen e faqeve të librit tim me poezi, “Sidomos nesër”!”, shkruan shkrimtarja për SHEKULLI-n.
Libri “Sidomos nesër”, me poezi, i botuar në vitin 1988 nga shkrimtarja, u censurua dhe u ndalua për disa kohë për t’u shpërndarë. Një pjesë e poezive që u grisën nga ai botim, u risollën nga shkrimtarja në vitin 2018, te vëllimi “Bëhu i bukur”.
Reagimi i Ahmetit vjen pas postimit të aktivistit Tepelena, publikuar dhe nga Shekulli, i cili shkruante:
“Në kohët më të errëta për një popull, kur shpreson që në betejën për liri, demokraci dhe dinjitet, duhet të ushtrojnë autoritet moral zëra publikë që i paraprijnë dhe i bashkohen nevojës për ndryshim, shfaqen një kategori oborrtarësh, njëlloj si ata që dikur nën peshën e regjimit spiunonin artistët dhe intelektualët disidentë”.
Ky postim erdhi pas një interviste të dhënë nga shkrimtarja për Euronews, ku vlerësoi kryeministrin Edi Rama në disa aspekte të qeverisjes së tij, veçanërisht në politikën e jashtme.
“Që ai është një person shumë i zgjuar, kjo është e vetëkuptueshme. Që ai ka bërë shumë ndryshime në këtë vend, është e vetëkuptueshme. Edhe në politikën ndërkombëtare ai ka luajtur dhe ka mbajtur në ajër shumë topa, të cilët kanë sjellë shumë ekuilibra në Ballkan dhe gjetkë.
Ai është karizmatik dhe sharmant. Ajo që nuk shkoi mirë me të, mendoj, është se u lidh tepër me marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilat në ditët e sotme janë shumë të rëndësishme, sepse kriza e globalizmit është në një nivel shumë të lartë. Pra, gjithë tensionin, investimin shpirtëror apo material e përqendroi në këto marrëdhënie dhe la pas dore mjedisin e brendshëm, vendin e tij”, deklaroi Ahmeti gjatë intervistës, e cila sipas shkrimtares është xhiruar në fillim të muajit Tetor, dhe publikuar pikërisht tani./ad
