SHBA-të dhe nëntë vende partnere kanë nënshkruar një marrëveshje të re për forcimin e sigurisë së teknologjive kritike dhe zinxhirëve të furnizimit që mbështesin zhvillimin e inteligjencës artificiale (IA).
Marrëveshja, e njohur si Deklarata e San Franciskos mbi Themelet e Sigurta të Prosperitetit të Qëndrueshëm, u nënshkrua nga SHBA-të, Australia, India, Izraeli, Japonia, Koreja e Jugut, Katari, Singapori, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Mbretëria e Bashkuar.
Nisma, e cila zhvillohet në kuadër të programit Pax Silica të udhëhequr nga Uashingtoni, synon të mbrojë teknologjitë e ndjeshme dhe infrastrukturën kritike të nevojshme për zhvillimin e sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale. Në fokus janë rrjetet e transportit, platformat dixhitale, infrastruktura energjetike dhe sistemet logjistike.
Në deklaratë theksohet se siguria ekonomike është një element thelbësor i sigurisë kombëtare. Për këtë arsye, vendet nënshkruese angazhohen të reduktojnë varësitë e tepërta dhe të ndërtojnë zinxhirë furnizimi më të diversifikuar dhe të besueshëm.
Palët kanë rënë dakord gjithashtu për krijimin e grupeve të përbashkëta të punës, të cilat do të fokusohen te politikat e inovacionit, adoptimi i inteligjencës artificiale, bashkëpunimi në zinxhirët e furnizimit dhe siguria.
“Asnjë komb nuk mund t’i sigurojë i vetëm themelet e epokës së SI-së”, deklaroi Departamenti i Shtetit i SHBA-së, duke iu referuar Super Inteligjencës.
Ndërkohë, sipas Financial Times, Gjermania, Suedia, Holanda dhe Komisioni Evropian pritet t’i bashkohen nismës duke nënshkruar deklaratën javën e ardhshme. Lajmi është raportuar duke cituar Jacob Helberg, Nënsekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështjet Ekonomike./ad
