Ati i Shenjtë vizitoi qytetin historik të Cuscos, ku u prit nga mijëra besimtarë. Gjatë qëndrimit në Peru, Papa bëri thirrje për mbrojtjen e pyjeve të Amazonës, të drejtave të popujve indigjenë dhe solidaritetit me më të varfrit.
Papa Leoni XIV vijon vizitën e tij në Peru, ku ndalesa e radhës ishte qyteti historik i Cuscos, i vendosur në më shumë se 3 mijë metra lartësi mbidetare, në zonën ku dikur lulëzoi qytetërimi i lashtë Inka.
Më 15 nëntor, Ati i Shenjtë u prit nga një numër i madh besimtarësh, të cilët kishin mbushur rrugët për ta përshëndetur. Me flamuj të Vatikanit, flamuj kombëtarë të Perusë, fotografi dhe simbole të Papa Leoni XIV, turma e njerëzve e shoqëroi atë gjatë kalimit me makinën papale.
Gjatë vizitës në Cusco, Papa ndaloi edhe në parkun arkeologjik kombëtar të Saqsaywamanit, përpara se të vijonte udhëtimin drejt Pucallpës, në brigjet e lumit Ucayali, në zemër të pyllit tropikal të Amazonës.
Atje, në programin e tij janë takimet me misionarë, misionare dhe përfaqësues të komuniteteve indigjene.
Gjatë vizitës në Amazonë, Papa Leoni XIV përsëriti apelin për mbrojtjen e mjedisit dhe të komuniteteve vendase, duke iu referuar edhe nxitjes apostolike Querida Amazonia.
“Ëndërroj një Amazonë që lufton për të drejtat e më të varfërve, të popujve autoktonë dhe të më të pambrojturve”, deklaroi Papa.
Ai denoncoi plagët që vazhdojnë të rëndojnë këto territore, të përkeqësuara nga interesat ekonomike dhe shfrytëzimi i pakontrolluar, të cilat rrezikojnë ekuilibrin e natyrës.
“Klithma e tokës dhe klithma e të varfërve ngrihen së bashku”, u shpreh Leoni XIV, duke theksuar se mbrojtja e pyjeve të Amazonës nuk mund të ndahet nga kujdesi për njerëzit që jetojnë në këto territore.
Sipas tij, mbrojtja e mjedisit dhe drejtësia sociale duhet të ecin gjithmonë së bashku.
Menjëherë pas mbërritjes në Cusco, Papa Leoni XIV përshëndeti turmën e madhe të njerëzve nga makina papale.
Rrugët ishin mbushur me besimtarë, të cilët mbanin tullumbace të bardha dhe të verdha, ngjyrat e Vatikanit, flamuj të Perusë, fotografi të Papës, madje edhe lodra prej pelushi me figurën e tij.
Atmosfera e ngrohtë dhe entuziazmi i qytetarëve e emocionuan sërish kreun e Kishës Katolike gjatë vizitës së tij në vendin amerikano-jugor.
Gjatë takimit me besimtarët dhe përfaqësuesit e devocionit popullor në parkun arkeologjik kombëtar të Saqsaywamanit, Papa vlerësoi bukurinë historike dhe shpirtërore të këtij vendi.
“Është e pamohueshme bukuria e këtij vendi që na mirëpret sot. Saqsaywaman, si një altar prej guri, ngrihet drejt qiellit të Andeve, aty ku të lashtët ngjiteshin në kërkim të hyjnores”, u shpreh ai.
Papa foli gjithashtu për rëndësinë e ruajtjes së traditave popullore, të cilat sipas tij përfaqësojnë një pasuri të çmuar për brezat e rinj.
Ai theksoi se të rinjtë duhet të përfshihen më shumë në aktivitetet komunitare dhe se kontributi i tyre duhet dëgjuar, vlerësuar dhe mbështetur.
Një moment i veçantë i vizitës ishte edhe lutja e Engjëllit të Zotit, e mbajtur në Bazilikën Katedrale të Fjetjes së Virgjëreshës Mari në Cusco.
Me këtë rast, Papa dhuroi një pëlhurë të shenjtë, e njohur si sudarium, të cilën e cilësoi si një përkëdhelje simbolike për një popull që di të përballojë vuajtjet me dinjitet dhe shpresë të krishterë.
Në mesazhin e tij, Leoni XIV u ndal edhe te njerëzit që vuajnë nga sëmundjet fizike dhe shpirtërore.
“Sa gënjeshtër e madhe është të mendosh se sëmundja ia ul vlerën një personi. Kur jetohet me besim, ajo mund të bëhet një rrugë për t’u rritur në dashuri dhe për ta ndarë atë me të tjerët”, deklaroi Papa.
Gjatë fjalës së tij, Papa Leoni XIV kujtoi edhe tërmetin e fuqishëm të vitit 1650, i cili shkaktoi shkatërrime dhe panik mes banorëve të Cuscos.
Ai iu referua figurës së njohur si “Zoti i Tërmeteve” (Señor de los Temblores), kryqit të zi të nderuar në Katedralen e qytetit dhe të konsideruar si mbrojtës shpirtëror i tij.
Sipas traditës lokale, figura e shenjtë u nxor në rrugët e qytetit gjatë tërmetit dhe pas kësaj lëkundjet pushuan në mënyrë të mrekullueshme.
“Që nga ajo kohë, populli i Cuscos dhe i gjithë Perusë e di se te Taytacha ka një strehë të sigurt përballë çdo stuhie, një spirancë të fortë mes tronditjeve të historisë”, u shpreh Papa.
Pëlhura e dhuruar nga Ati i Shenjtë do të vendoset pikërisht mbi këtë kryq të shenjtë, duke marrë një domethënie të veçantë për besimtarët vendas./ad
