Festat janë periudha kur tavolinat mbushen me ushqime të shijshme, ëmbëlsira dhe pije që ndoshta nuk i konsumojmë çdo ditë. Por, bashkë me kënaqësinë e të shijuarit të tyre, shpesh vjen edhe një koment që dëgjohet aq shpesh sa duket krejt i padëmshëm: “Duhet t’i djegim kaloritë që morëm”.
Qoftë pas një vakti të bollshëm, një feste apo disa copë tortë, shprehje të tilla si “t’i tresim ato që hëngrëm” mund të duken si shaka motivuese për të shkuar në palestër. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo mënyrë të menduari mund të ndikojë negativisht në marrëdhënien tonë me ushqimin dhe aktivitetin fizik.
Ushtrimet nuk duhet të jenë një mënyrë për të kompensuar ushqimin
Të ushtrosh nuk do të thotë domosdoshmërisht të përpiqesh të djegësh kaloritë e një vakti. Aktiviteti fizik ka shumë përfitime të tjera: përmirëson shëndetin e zemrës, ndikon pozitivisht në mirëqenien mendore, ndihmon në uljen e ankthit dhe stresit, përmirëson gjumin dhe na jep më shumë energji.
Nutricionistja Emmie Keefe shpjegon se përdorimi i kalorive si motivim për stërvitjen mund të ketë efektin e kundërt. Sipas saj, njerëzit duhet të ushtrohen për shëndetin fizik dhe emocional, për të krijuar një rutinë dhe për të shijuar edhe anën sociale të aktiviteteve në grup, jo për të ndëshkuar veten për atë që kanë ngrënë.
Për më tepër, përpjekja për të llogaritur vazhdimisht kaloritë e marra dhe ato të djegura nuk është gjithmonë realiste apo e dobishme. Kur aktiviteti fizik shihet si një detyrim për të kompensuar ushqimin, ai mund të humbasë vlerën dhe kënaqësinë që duhet të sjellë.

Ushqimi nuk është diçka që duhet ta meritojmë
Një tjetër problem i kësaj qasjeje është ideja se duhet të bëjmë diçka përpara se të lejojmë veten të shijojmë një ëmbëlsirë apo një vakt të bollshëm.
Alyssa Royse, pronare e një qendre fitnesi në Seattle, e konsideron këtë mentalitet veçanërisht të dëmshëm. Sipas saj, ai krijon bindjen se duhet të fitojmë të drejtën për të ngrënë dhe për të shijuar kënaqësitë e jetës, ndërkohë që këto janë pjesë e natyrshme e të qenit njeri.
Kur ushqimet ndahen në “të mira” dhe “të këqija”, apo kur ngrënia lidhet me fajin dhe ndëshkimin, mund të krijohen modele të pashëndetshme sjelljeje. Kjo mënyrë të menduari mund të ndikojë edhe te zhvillimi i çrregullimeve të të ngrënit, të cilat mund të sjellin pasoja serioze për shëndetin.
Royse thekson se ushqimi nuk duhet të kthehet në një përvojë morale apo emocionale. Nuk është e nevojshme të ndiheni në faj pasi keni shijuar një copë byrek apo një ëmbëlsirë që ju pëlqen. Mund ta shijoni dhe të vazhdoni ditën tuaj pa e kthyer atë në një arsye për të ndëshkuar trupin.
Edhe stresi që vjen nga turpërimi i vetes për atë që keni ngrënë mund të shfaqet fizikisht, përmes dhimbjeve të stomakut dhe problemeve me tretjen. Siç shpjegon Keefe, në këtë mënyrë përfundoni duke e bërë veten të vuajë dy herë: fillimisht nga ndjenja e fajit dhe më pas nga pasojat që mund të sjellë stresi.

Mësoni të dëgjoni sinjalet e trupit
Në vend që të përpiqeni të kompensoni çdo vakt me aktivitet fizik, ekspertët sugjerojnë të përqendroheni te nevojat e trupit. Kjo përfshin të hani me vëmendje, të shijoni ushqimin, të kuptoni kur jeni të uritur dhe të ndaloni kur ndiheni të ngopur.
Kjo nuk do të thotë të hiqni dorë nga zakonet e shëndetshme gjatë festave. Përkundrazi, mund të vazhdoni të konsumoni fruta dhe perime, të pini mjaftueshëm ujë dhe të bëni shëtitje, por pa i parë këto aktivitete si një mënyrë për të shlyer atë që keni ngrënë.
Mesazhi i eksperteve është i thjeshtë: nuk keni pse të stërviteni më shumë përpara festave, as të ndëshkoni veten pas tyre. Mund të shijoni ushqimet që ju pëlqejnë dhe njëkohësisht të kujdeseni për trupin tuaj. Aktiviteti fizik duhet të jetë një mënyrë për t’i bërë mirë vetes, jo një dënim për kënaqësitë që i lejoni vetes./k.m
