Pas përfundimit të serialit të suksesshëm “Eşref Rüya”, një tjetër projekt ka rikthyer në qendër të vëmendjes emrat e Demet Özdemir dhe Çağatay Ulusoy. Bëhet fjalë për “Eşref Tek”, serialin e ri që do të rrëfejë një tjetër kapitull të historisë së Eşrefit, këtë herë me Aybüke Pusat në rolin protagonist femër. Një zgjedhje që ka nxitur krahasime mes dy aktoreve, por Demet duket se nuk ka asnjë arsye për t’u ndier e prekur.
E pyetur nga gazetarët për kastin e ri dhe përzgjedhjen e Aybüke Pusat, aktorja që i dha jetë Nisanit në “Eşref Rüya” u tregua e drejtpërdrejtë. Ajo theksoi se projekti i ri nuk është vazhdim i serialit ku interpretoi për dy sezone, ndaj nuk ka njohuri mbi skenarin apo zhvillimet e tij. Megjithatë, nuk ngurroi t’i uronte suksese ekipit të ri.
“Meqenëse ky projekt nuk është vazhdim, nuk kam dijeni për të, ndaj u uroj suksese. Shkruhen dhe thuhen shumë gjëra, por një grua nuk do të thoshte kurrë diçka të keqe për një grua tjetër”, u shpreh Özdemir.
Por ishte pikërisht pjesa që lidhej me krahasimet mes saj dhe Aybüke Pusat ajo që tërhoqi më shumë vëmendje. Demet kundërshtoi idenë se një aktore mund të shihet si zëvendësuese e një tjetre, duke vënë në dukje se këto narrativa krijohen kryesisht kur bëhet fjalë për gratë.
“Në këtë industri nuk ekziston diçka e tillë si të jesh në vendin e dikujt tjetër. Kjo nuk funksionon kështu për burrat, por për gratë krijohen shumë histori të panevojshme. U uroj gjithë të mirat”, deklaroi ajo./mxh
