Nga: Rikki Schlott / New York Post
Një lëvizje neoludite [luditët ishin kundër revolucionit industrial të shekullit XIX] është në rritje dhe tani është në modë të denigrohet teknologjia moderne dhe të kesh mall për “ditët e mira të vjetra” të së shkuarës para-industriale. Por, priremi të harrojmë se amerikani tipik bën një jetë më të shëndetshme dhe më të rehatshme sesa bënin dikur edhe pjesëtarët e familjeve mbretërore.
Shumica e paraardhësve tanë jetonin në errësirë të plotë pas perëndimit të diellit. Afërsisht gjysma e njerëzve nuk arrinin moshën 20-vjeçare në Evropën e hershme moderne. Kanibalizmi ka mundur të ndodhë gjatë zisë së bukës jo shumë kohë më parë. Madje, edhe pallatit të Versajës i mungonin banjat.
Një libër i ri argumenton se përparimi teknologjik – dhe Revolucioni Industrial, aq shumë i përgojuar – është e vetmja gjë që na ndan prej standardeve të tilla të paimagjinueshme të jetës.
“Nuk mendoj se njerëzit e vlerësojnë sa duhet bollëkun tonë modern”, i tha The Post-it Chelsea Follett, autore e The Grim Old Days [Kohët e vjetra të zymta]. “Të gjithë e marrim botën në të cilën lindim si diçka të mirëqenë. Mendojmë se kjo është gjendja normale e njerëzimit: të kemi ujë të rrjedhshëm, energji elektrike dhe dyqane ushqimore me më shumë ushqim sesa mund të hajë ndonjëherë një njeri i vetëm”.
“E tmerrshme”
Teksa përballemi me perspektivën që IA-ja [inteligjenca artificiale]të transformojë ekonominë dhe të ndryshojë jetën tonë, është e rëndësishme të marrim një mësim nga historia dhe të kujtojmë se teknologjia na ka sjellë vazhdimisht begati – dhe jo katastrofën të cilën kundërshtarët vazhdimisht kanë pretenduar se do të sillte.
Follett, studiuese në Qendrën për Liri dhe Prosperitet Global të Institutit “Cato”, argumenton se praktikisht çdo aspekt i jetës – nga lindja deri në vdekje, si për të pasurit ashtu edhe për të varfrit – është përmirësuar nga teknologjia. Për ta vërtetuar argumentin e saj, ajo i çon lexuesit përmes jetës së paraardhësve tanë, në mënyrë që “ta çromantizojë të kaluarën”.
“Para industrializimit, përparimi me ritmin e kërmillit, në kufi me stagnimin, ishte rregulli i përgjithshëm”, shkruan Follett. “Pikëpamjet rozë për të kaluarën nuk kanë asnjë ngjashmëri me realitetin. Bota me të cilën përballeshin paraardhësit tanë ishte, në fakt, më e llahtarshme sesa mund ta përfytyrojë mendja moderne”.
Qytetet historike të cilat priremi t’i idealizojmë – si Firence e Renesancës dhe Roma perandorake – nuk kishin ndriçim rrugor dhe natën shndërroheshin në makthe të rrezikshme. George Washingtoni, sipas llogaritjeve të veta, shpenzonte shumën e barasvlershme me 15 mijë dollarë në vit për të djegur një qiri të vetëm për pesë orë çdo natë.
Edhe pjesëtarët e familjeve mbretërore e kishin më keq sesa amerikani mesatar sot. Ngrohja ishte aq e pakët saqë gjatë dimrit mbretërit mund ta shihnin verën duke u ngrirë mbi tryezat e darkës. Dhe, në Oborrin Hempton të Henrit VIII, nevojtorja e përbashkët mund të përdorej nga 14 veta njëherësh – por, natyrisht, nuk kishte shpëlarje me ujë.
“Nëse do të mund ta sillnit dikë nga bota para-industriale në botën moderne dhe t’i tregonit një dyqan ushqimor, kjo do ta linte pa mend”, shpjegoi Follett. “Dua të them, është vërtet një nivel bollëku që do të ishte përtej përfytyrimit të tyre.”
Revolucioni Industrial, argumentoi Follett, i nxori paraardhësit tanë nga mjerimi dhe vuajtjet e vazhdueshme – për herë të parë në historinë njerëzore.
Sipas projektit Progresi Njerëzor të “Cato”-s, në dy shekujt e fundit ka pasur më shumë prodhim ekonomik sesa në të gjithë shekujt e mëparshëm të marrë së bashku.
I gjithë ky përparim teknologjik, argumenton Follett, e çliroi njeriun e zakonshëm nga puna për mbijetesë dhe i dha hapësirë për të menduar dhe për të qenë krijues. Puna jetike që dikur ua zinte mendjen paraardhësve tanë gjatë gjithë kohës – si prodhimi i ushqimit dhe i rrobave të mjaftueshme për t’i mbajtur të afërmit të ushqyer dhe ngrohtë – tani mund të kryhet nga shumë më pak pjesëtarë të shoqërisë.
Ajo vë në dukje se vetëm dy përqind e njerëzve në vendet e zhvilluara sot janë fermerë, krahasuar me deri në 90 përqind në shumë ekonomi para-industriale.
Ëndërro gjëra të mëdha
“Një transformim ndodhi [gjatë Revolucionit Industrial]: liria u përhap, tregtia dhe veprimtaria tregtare lulëzuan si kurrë më parë, teknologjia përparoi dhe pasuria globale u rrit … në mënyrë eksponenciale”, shkruan Follett. “Për herë të parë në histori, ndjekja e ëndrrave u bë e arritshme për njeriun e zakonshëm”.
Libri vjen në kohën e duhur, teksa gjithnjë e më shumë njerëz po kthehen kundër IA-së dhe paralajmërojnë se ajo do t’i sjellë shkatërrim shoqërisë. Një sondazh i korrikut zbuloi se vetëm 30 përqind e të anketuarve mendonin se IA-ja ishte diçka e mirë për shoqërinë – edhe pse ajo ka qenë përgjegjëse për rritje të mëdha të PBB-së dhe të tregut të aksioneve.
“Njerëzit e krahasojnë vazhdimisht revolucionin e IA-së me Revolucionin Industrial, por nëse nuk nxjerrim mësimet e duhura nga Revolucioni Industrial, atëherë mund ta shpërdorojmë këtë moment të revolucionit të IA-së”, tha ajo.
Është e kuptueshme që transformimi kaq i fuqishëm teknologjik po shkakton ankth. IA-ja kërcënon të përmbysë mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe madje mënyrën se si mendojmë. Por, siç rezulton, historia është udhërrëfyese e dobishme për periudha të cilat shpesh mund të duken të paprecedenta.
Sipas të gjitha indikacioneve, ka më pak gjasa që frika jonë më e keqe të bëhet realitet sesa që të ketë përparim të mëtejshëm dhe më shumë begati – dhe ndoshta edhe potencial të ri krijues, nëse IA-ja mund të na çlirojë nga puna e rëndë dhe monotone që ende ka mbetur në jetën moderne.
Po qëndrojmë në pragun e ndryshimit, ashtu si paraardhësit tanë gjatë Revolucionit Industrial. Dhe, historia i sheh më me sy të mirë ata që e përqafuan ndryshimin sesa ludistët që u përpoqën t’i mbanin të gjithë prapa./ET
