Last Updated on 16/11/2026 by Monika
Lindsay Clancy, 36-vjeçarja nga Masaçusetsi e akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj, do të përballet me një proces të dytë gjyqësor më 29 mars 2027. Vendimi vjen pasi juria në gjyqin e parë nuk arriti të merrte një vendim përfundimtar.
Një gjykatës në Masaçusets ka caktuar datën 29 mars 2027 për nisjen e gjyqit të dytë ndaj Lindsay Clancy, e cila akuzohet për vrasjen e tre fëmijëve të saj.
Gjatë seancës, prokuroria bëri të ditur se kërkon që çështja të shqyrtohet nga një juri, por nuk konfirmoi zyrtarisht nëse do të vijojë me të njëjtat akuza për vrasje të shkallës së parë.
Megjithatë, avokati i mbrojtjes, Kevin Reddington, deklaroi se ky qëndrim i prokurorisë lë të kuptohet se synimi është që Clancy të përballet sërish me akuzat më të rënda.
“Besoj se mund të kuptohet se, kur prokuroria thotë se çështja kërkon një gjykim nga juria, ky është një sinjal i tërthortë se synojnë të vazhdojnë me akuzat për vrasje të shkallës së parë”, u shpreh Reddington.
Gjyqi i parë ndaj 36-vjeçares zgjati disa javë gjatë verës, por përfundoi pa një vendim në fillim të shtatorit, pasi juria prej 12 anëtarësh nuk arriti të binte dakord për fajësinë apo pafajësinë e saj.
Në procesin e parë, Clancy përballej me tri akuza për vrasje të shkallës së parë, që nënkuptojnë vrasje të qëllimshme dhe të paramenduar.
Megjithatë, prokuroria ka ende mundësinë të ndryshojë drejtimin e çështjes dhe të kërkojë dënimin për vepra më të lehta penale, si vrasja e shkallës së dytë, e cila përfshin vrasje të paligjshme të kryera me dashakeqësi ose pakujdesi ekstreme, por pa paramendim.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur zyrtarisht se cilat akuza do të ngrihen ndaj saj në procesin e dytë gjyqësor./mxh
