Last Updated on 16/11/2026 by Monika
Blendi Klosi ka treguar detaje nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku u vendos përjashtimi i Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga të gjitha forumet e partisë.
I ftuar në një emision televiziv, Klosi e cilësoi mbledhjen si një takim pune, gjatë të cilit në fokus ishte organizimi i brendshëm i Partisë Socialiste dhe përgatitjet për fushatën e ardhshme. Ai theksoi se një pjesë e diskutimeve u zhvillua me dyer të mbyllura.
Sipas tij, gjatë mbledhjes pati diskutime nga tre kolegë dhe, në përfundim, Asambleja vendosi shkarkimin e Spiropalit dhe Ndrecës nga forumet e partisë.
Duke iu referuar nenit 22 të statutit të PS-së, Klosi theksoi se kjo dispozitë u jep forumeve të partisë të drejtën për të kërkuar shkarkimin e anëtarëve, për arsye që vlerësohen nga vetë Asambleja.
Megjithatë, ai sqaroi se vendimi nuk nënkupton përjashtimin e dy socialistëve nga partia, por vetëm largimin e tyre nga forumet e saj.
I pyetur se cila ishte vija e kuqe që kishte kaluar Elisa Spiropali dhe që çoi në marrjen e këtij vendimi, Klosi nuk dha detaje konkrete, duke i cilësuar arsyet si çështje të brendshme të partisë.
Pjesë nga diskutimi:
Klosi: Ishte një mbledhje rutinë për fushatën dhe organizimin tonë, mbledhje pune. Sigurisht, një pjesë e mbledhjes ishte me dyer të mbyllura. Ne pas mbledhjes jemi shpërndarë dhe kemi nisur punën për fushatën. E prisnim të kishte diskutim të gjerë për ku duhet të fokusohemi në fushatë, që të mos prodhojmë lajm në 6 muajt që vijnë, kush do jetë fokusi ynë. U mor vendimi për t’i përjashtuar nga të gjitha forumet e PS-së, Elisa Spiropalin edhe Plarent Ndrecën. Ne nuk jemi parti që shkarkojmë njerëz, këtë filozofi ka pasur dhe në dekadat e fundit, që të jetë e hapur. E kemi dhe në statut që edhe online mund të regjistrohet. Kjo është mënyra si formohet Asambleja, si shkarkohet është bazuar në statusin e Asamblesë, që ua jep forumeve të partisë… Kjo është përbërja si krijohet forumi i lartë i PS-së, neni 22 jep të drejtën forumeve që për arsye që i gjykon vetë Asambleja kërkon shkarkimin. Ishin tre kolegë që patën diskutime dhe e gjithë Asambleja mori këtë vendim. Në mënyrën si funksionon, u shkarkuan të dy anëtarët nga forumet, nga Asambleja e PS-së. Asambleja mbajti këtë qëndrim dhe të dy kolegët janë të shkarkuar nga forumet e PS-së, por jo nga PS-ja. Nga partia nuk kemi shkarkuar askënd.
Pyetje: Por cila ishte vija e kuqe që kaloi Spiropali, që solli këtë largim?
Klosi: Këto janë të gjitha problemet tona të brendshme. Publiku duhet të dijë se ku fokusohet PS-ja dhe është thjesht dhe shumë e qartë biseda. Janë organizimet tona të brendshme./mxh
