A e dini se ana e krevatit ku zgjidhni të flini mund të tregojë diçka për personalitetin tuaj? Sipas disa studimeve dhe sondazheve, njerëzit që flenë në anën e majtë kanë tipare të ndryshme nga ata që preferojnë anën e djathtë.
Sipas psikologes dhe ekspertes së gjumit Hope Bastine, personat që flenë në anën e majtë të krevatit priren të jenë më optimistë, më të sigurt në vetvete dhe më të përkushtuar në punë. Ata thuhet se e përballojnë më lehtë stresin dhe ruajnë qetësinë edhe në situata të vështira.
Një sondazh i vitit 2012, i realizuar nga rrjeti britanik i hoteleve Premier Inn me 3,000 të rritur, sugjeroi se personat që flenë në anën e majtë kanë një këndvështrim më pozitiv për jetën. Sipas të dhënave, 31% e tyre deklaruan se e duan punën që bëjnë, krahasuar me vetëm 18% të atyre që flenë në anën e djathtë.
Po ata që flenë në anën e djathtë?
Sipas Bastine, këta persona priren të jenë më realistë, të matur dhe të përgatitur për skenarët më të këqij. Ata mund të jenë më të rezervuar në shoqëri dhe më pak të kënaqur me punën tradicionale, por kanë më shumë gjasa të drejtojnë biznesin e tyre.
Ndërkohë, personat që preferojnë të flenë në mes të krevatit përshkruhen si më të ekuilibruar, paqedashës dhe që përshtaten lehtë. Ata vlerësojnë harmoninë, janë dëgjues të mirë dhe shpesh përpiqen të shmangin konfliktet.
Megjithatë, këto përfundime bazohen kryesisht në sondazhe dhe interpretime të ekspertëve, ndaj nuk duhen konsideruar si prova shkencore që pozicioni i gjumit përcakton personalitetin./mxh
