Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi ka reaguar rreth zjarrit që ka përfshirë qytetin e Cërrikut mbrëmjen e kaluar.
Himçi i ka bërë thirrje organeve të Policisë së Shtetit të ndjekin këtë zjarrvënie deri në detaje, pasi flakët kanë shkatërruar jo vetëm një magazinë plot me bar, por të gjithë mundin e sakrificën e një fermeri të suksesshëm në qarkun e Elbasanit.
Deputeti i PD-së në qarkun e Elbasanit i është drejtuar Bashkisë Cërrik që të mbulojë dëmet e zjarrit përmes fondit të emergjencave, për t’i qëndruar në krah në rast fatkeqësie fermerëve dhe blegtorëve.
Postimi i Bledi Himçit:
“FLAKËT NUK DOGJËN VETËM USHQIMIN E BAGËTIVE, POR GODITËN NJË NGA SHTYLLAT E BLEGTORISË NË ELBASAN!
Një zjarr i madh ka përfshirë stanin e Endrit Pepës, në fushën e Shtermenit, Bashkia Cërrik.
Fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz apo në bagëti, por janë shkrumbuar bazat ushqimore që mbajnë gjallë një fermë model. Endrit Pepa nuk është thjesht një fermer.
Ai është një nga blegtorët më të suksesshëm në qarkun e Elbasanit, që me punë, sakrificë dhe përkushtim ka ndërtuar një fermë me rreth 1000 krerë dele, duke u bërë shembull i suksesit në sektorin e blegtorisë shqiptare. Dyshimet janë se zjarri ka qenë i qëllimshëm.
Nëse kjo vërtetohet, kemi të bëjmë me një akt kriminal që nuk dëmton vetëm një familje, por godet punën, prodhimin dhe ekonominë lokale.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve hetimore që ta ndjekin këtë rast me seriozitet maksimal, të zbardhin autorët dhe t’i vendosin ata përpara përgjegjësisë ligjore.
I bëj thirrje Bashkisë Cërrik që, përmes fondit të emergjencave, të mbulojë të gjithë dëmin e shkaktuar ndaj fermerit, duke i qëndruar pranë një njeriu që ka investuar dhe kontribuar për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë së zonës.
Sot është koha për solidaritet, jo heshtje.
Sepse kur digjet mundi i një fermeri, digjet një pjesë e ekonomisë dhe e së ardhmes sonë.”, u shpreh Himçi./k.m
