Inteligjenca amerikane ka zbuluar disa plane iraniane për një sulm të mundshëm ndaj Uashingtonit , duke synuar zyrtarë të lartë të administratës Trump. Sipas një raporti zbulues të CNN që citon konkretisht shtatë zyrtarë amerikanë.
Ky informacion ka shkaktuar mobilizim intensiv të shërbimeve të sigurisë, pasi dyshohet se përfshin objektiva dhe vendndodhje specifike, megjithëse nuk ka prova që Teherani ka marrë një vendim për të vazhduar me një sulm.
Shërbimi Sekret i SHBA-së e zhvendosi Sekretarin e Thesarit Scott Besant në një rezidencë ushtarake javën e kaluar, ndërsa po mbahen takime të njëpasnjëshme për të adresuar kërcënimet e mundshme në tokën amerikane.
Burimet e përshkruajnë planifikimin si një përpjekje nga Irani për të mbajtur opsionet operative në dispozicion dhe jo si një tregues të një sulmi të afërt.
Megjithatë, dy nga burimet theksojnë se planet që janë identifikuar janë shumë specifike, pasi ato përfshijnë vendndodhje dhe objektiva të mundshme, gjë që i ka çuar autoritetet amerikane të hartojnë plane emergjence.
“Nëse ata kanë personelin e nevojshëm për të kryer një sulm të tillë mbetet një çështje debati”, tha një nga burimet.
Pavarësisht mobilizimit të agjencive të inteligjencës, Shtëpia e Bardhë është përpjekur ta qetësojë publikun. Zëdhënësja e saj, Laurene Biss, tha se Shtetet e Bashkuara po monitorojnë çdo kërcënim të mundshëm, por në këtë kohë nuk ka kërcënime të besueshme kundër territorit të Shteteve të Bashkuara.
Ky vlerësim bashkëjeton me shqetësimin në rritje midis zyrtarëve në lidhje me gatishmërinë e Teheranit për të marrë në konsideratë veprime që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm.
Agjencitë amerikane vlerësojnë se presioni i vazhdueshëm ushtarak dhe bllokada ekonomike e Iranit mund të kenë ndryshuar motivimet e udhëheqjes iraniane, duke e çuar atë të marrë në konsideratë sulme edhe brenda Shteteve të Bashkuara. Zyrtarë të lartë të administratës i kanë përshkruar pasojat ekonomike të bllokadës si “katastrofike” për ekonominë iraniane./k.m
