Avokati Idajet Beqiri është marrë në mbrojtje nga Policia e Shtetit. Kjo vjen pas një muaji, që iu bë atentat me lëndë plasëse në automjetin e tij, ngjarje e ndodhur pranë rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë më 13 tetor të këtij viti.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Beqiri u shpreh se ka pasur kërcënime të vazhdueshme kundër tij, pasi nuk është pajtuar me qeverisjen e Sali Berishës, të cilën e konsideron kriminale.
Beqiri deklaroi se ka dërguar kallëzime kundra Berishës, për 21 janarin, Gërdecin e çështje të tjera, por sipas tij, SPAK nuk po tregohet në lartësinë e ligjit dhe nuk i ka trajtuar profesionalisht dosjet.
Ndër të tjera, avokati nënvizoi se autorët të cilën i bënë atentat, kanë mbrojtje politike.
“Unë e kam theksuar edhe herë të tjera, kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme dhe të pritshme për mua. Për shkak të detyrës profesionale por edhe si qytetar, unë nuk jam pajtuar kurrë me korrupsionin, me qeverisjen kriminale të Sali Berishës, që i ka shkaktuar fatkeqësi të rënda kombit shqiptar. I kam konkretizuar në formësim dosjesh, që i kanë shkuar me kallëzim SPAK. Nuk janë pak, por 23 dosje. Duke filluar me 21 janarin, vrasjet e Haklajve, disa privatizimeve. Për rrjedhojë, në mënyrë të vazhdueshme kam pasur kërcënime edhe me telefon, edhe me mesazhe. Edhe me mesazhe të hapura në rrjetet sociale, disa me emër dhe mbiemër. SPAK i ka këto dosje që unë kam çuar. Kanë filluar procedimet penale, por SPAK ende nuk është në lartësinë e ligjit. Ato dosje që duhet t’i trajtonte profesionalisht, ne nuk po e shikojmë. Kam theksuar se jam në pozitat e avokatit të familjeve të viktimave, të 21 janarit, të Tropojës, të Haklajve.
Unë jam vetë profesionist, por kam parasysh një fakt, nëse u bë shpërthim me tritol në Vlorë, u zbuluan për dy ditë autorët. Parë në këtë aspekt, nëse do ishte organizuar nga një ordiner, do ishte zbuluar. Fakti që po zgjatet, tregon për mbrojtjen që kanë organizatorët e këtij akti. Kanë mbrojtje nga politika. Ekzekutorët, kam informacion, se dihet se kush janë dhe si e kanë bërë aktin kriminal. Organi i akuzës, policia, me zbardhjen që po bëjnë, po vazhdojnë hetimet dhe po i lë të vazhdojnë”, theksoi ai.
