Ministria e Arsimit parashikon një ndryshim të rëndësishëm në mbështetjen për fëmijët me aftësi ndryshe në shkolla. Me buxhetin e ri, synohet që çdo nxënës që ka nevojë për mbështetje të ketë mësuesin e tij ndihmës, duke kaluar drejt një shërbimi të personalizuar për secilin fëmijë.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë një takimi me prindër të fëmijëve me aftësi ndryshe, ku u diskutuan vështirësitë me të cilat përballen ata në sistemin arsimor dhe nevoja për më shumë mbështetje individuale.
Sipas ministres, synimi është që të ndryshohet skema aktuale, ku një mësues ndihmës mbulon disa nxënës, fillimisht katër dhe më pas dy, duke kaluar në raportin një mësues ndihmës për çdo fëmijë.
“Besoj se arsimi gjithëpërfshirës nuk ndërtohet vetëm përmes politikave dhe udhëzimeve, por mbi të gjitha përmes dëgjimit, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me prindërit. Çdo fëmijë ka të drejtën të mësojë, të zhvillohet dhe të ndihet i pranuar. Me buxhetin e ri, do të kemi një mësues ndihmës për çdo fëmijë me aftësi ndryshe!”, deklaroi Kumbaro.
Ministrja theksoi se forcimi i rolit të mësuesve ndihmës dhe bashkëpunimi me familjet janë elementë kyç për një arsim gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë të marrë vëmendjen dhe mbështetjen që i nevojitet.
