Një ndryshim i madh po vjen në garat evropiane të klubeve, pasi UEFA njoftoi partneritetin e saj me Nike, e cila do të marrë përsipër furnizimin me topa zyrtarë për garat e meshkujve nga sezoni 2027/2028.
Konkretisht, kompania amerikane do të jetë furnizuesi zyrtar i topave për Champions League, Europa League dhe Conferenca League deri në sezonin 2030/2031, duke i dhënë fund partneritetit të gjatë të federatës evropiane me Adidas.
Sipas një raporti nga “The Athletic”, marrëveshja thuhet se vlen deri në 40 milionë euro në vit, ndërsa Puma gjithashtu kishte shprehur interes për të siguruar marrëveshjen. Në fund, ishte Nike ajo që mbizotëroi në procesin përkatës dhe siguroi të drejtat.
Ky zhvillim shënon fundin e një epoke të tërë për Ligën e Kampionëve, pasi Adidas ka furnizuar garën më të madhe evropiane për klube që nga sezoni 2001/2002.
Ishte atëherë që ai prezantoi topin ikonik me yje, i njohur nga të gjithë si topi i yjeve, i cili evoluoi në një nga simbolet më të njohura të futbollit evropian./et
